Maqedonia

Hahn fton qytetarët të mos bojkotojnë referendumin, Zaev paralajmëron Rusinë

"Kjo do të sjell dobi reale për popullin. Perspektiva evropiane i përmirëson kushtet për jetesë të qytetarëve dhe ajo është më e rëndësishmja”, tha Hahn.

“Federata e Rusisë duhet që ta dijë se për Maqedoninë nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE”, deklaroi kryeministri, Zoran Zaev, në konferencën e sotme të përbashkët me eurokomesarin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, në lidhje me deklaratat se biznesmenë rus janë përzier në protestat në Maqedoni, duke financuar edhe tifozët e Vardarit “Komitët”, shkruan albinfo.ch.
Kryeministri Zaev sqaroi edhe pak ditë më parë për mediat e huaja se ai është i gatshëm të ketë marrëdhënie të mira me Kremlinin, megjithatë kjo e fundit duhet ta dijë se 80 përqind e banorëve të Maqedonisë janë për integrimin në NATO, bile edhe vetë opozita.

Në anën tjetër komisioneri i zgjerimit Johanes Hahn ftoi qytetarët që të dalin në votime gjatë referendumit, për ti dhënë fund kontestit të emrit me Greqinë.

“Ju do të vendosni për të ardhmen e vendit, ndërkaq dyert e BE-së janë të hapura gjerë. I ftoj palët e përfshira që këtë ta pranojnë si qëllim mbipartiak dhe në mënyrë konstruktive të vendosin. Kjo do të sjell dobi reale për popullin. Perspektiva evropiane i përmirëson kushtet për jetesë të qytetarëve dhe ajo është më e rëndësishmja”, tha ai.

“Dua t’ju uroj për ftesën që e keni marrë javën e kaluar për fillim të negociatave me NATO-n. Qytetarët do të kenë siguri më të lartë. Populli këtu ka treguar qëndrueshmëri dhe shërbimet si shembull për gjithë rajonin, që duhet t’i inkurajojë vendet që kanë probleme bilaterale, t’i zgjidhin”, tha Hahn.

Përkundër hezitimeve të fuqishme nga Hollanda, Danimarka dhe Franca, Shqipëria dhe Maqedonia morrën dritën jeshile për hapjen e negociatave me BE-në në qershor 2019. Rusia në anën tjetër mundohet të shmang rrugën euro-atlantike të Maqedonisë.