Sport

Hamburgu, kërkesë konkrete për Xhakën

“Ata kanë bërë një ofertë shumë konkrete. Por ne nuk kemi interes ta japim Granitin”, ka thënë Heusler nga FCB

Se Granit Xhaka, ylli i ri i FC Baselit dhe kombëtares së Zvicrës nuk do ta ketë të gjatë qëndrimin në FC Basel, e dëshmon tashmë edhe nënkryetari i FC Basel-it, Bernhard Heusler. Ai ka konfirmuar se një shumë e majme është duke pritur që të këmbehet me shërbimet e Xhakës.

Heusler ka konfirmuar se një ofertë disamilionëshe tashmë ka ardhur nga Hamburgu. “Ata kanë bërë një ofertë shumë konkrete”, ka thënë ai. Sipas Blick.ch mund të jetë fjala për një shumë prej 8 milionë frangash. Që janë pak për lojtarin e gjithanshëm i cili ka kontratë me Baselin deri në vitin 2015. “Ne nuk kemi interes ta japim Granitin”, ka thënë Heusler.

Ndërkohë që “makineria” e spekulimeve rreth tij ka punuar edhe gjatë pushimeve të fundvitit, Granit Xhaka i ka kaluar ato pa stres, në Kosovë, me familjen. Madje edhe telefonin e ka pasur gjatë gjithë kohës të shkyçur. “Doja që të shkëputem krejtësisht”, thotë ai për blick.ch.

Megjithatë, atij nuk i ka ikur nga vëmendja se ish trajneri i tij në FC Basel, tash trajner në Hamburg, Thorsten Fink disa herë ka shprehur publikisht adhurimin për të. Xhaka thotë, me buzëqeshje: “Nuk e paskam ditur se më favorizuaka kaq shumë”.

Ndërkaq, edhe vetë Granit Xhaka nuk është krejtësisht indiferent për angazhimin e mundshëm në HSV. Ai thotë: “SV Hamburg është një klub i madh ndërsa bundesliga është ëndrra ime. Është sigurisht bukur, kur atje më pret një trajner i cili më njeh dhe flet kaq hapur se do të më merrte me dëshirë në klubin e tij”.

Megjithatë, Xhaka nuk mendon se transferimi i tij do të ndodhë në afatin e tashëm (deri më 31 janar). Unë kam në plan që së paku deri në verën e këtij viti të vazhdoj në FC Basel. Unë e di se çfarë më pret këtu. I kemi para nesh dy ndeshje ëndrrash në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve kundër Bajernit, në të cilat ne, sipas mendimit tim kemi edhe një shans për të shkuar më tutje”.

Por, Graniti nuk e përjashton krejtësisht kalimin te trajneri i tij Fink në Hamburg. “Në rast se HSV e bën një ofertë të tillë që i konvenon Fc Baselit, ne duhet të merremi vesh”.