Autotech

Hapet në Japoni panairi i robotëve

Ata që duan përdorimin e robotëve thonë se një vendi si Japonia i duhen, meqë popullsia është duke u plakur shumë

Pothuajse 200 kompani u mblodhën në Tokio për të prezantuar arritjet e fundit në teknologjinë robotike, duke ngjallur debat kështu rreth fuqisë punëtore njerëzore. Ishin pothuajse dyfish më shumë kompani këtë vit krahasuar me vitin që shkoi, që morën pjesë në ‘RoboDex Expo’ në Tokio, me ç’ rast u vërejt interesim në punën e robotëve në shtetin, ku tashmë kanë vend të pazëvendësueshëm.

Në një qoshe një robot paloste rroba, e një vizitor tha se roboti i bën punët e shtëpisë më mirë se gruaja e tij, duke shtuar se së shpejti do t’i zënë të gjitha vendet e punës së njerëzve. Sidoqoftë, ata që duan përdorimin e robotëve thonë se një vendi si Japonia i duhen, meqë popullsia është duke u plakur shumë.

Një kompani japoneze në këtë panair ekspozoi një robot kamerier dhe pohohet se shumë kompani ajrore, dyqane e restorante detyrohen të ndërpresin biznesin e tyre  nga shkaku se kanë shumë telashe të gjejnë njerëz të përshtatshëm për punë. Hiroyuki Fujii, këshilltar në kompaninë NEC, tha se kompania e tyre do të zgjerojë përdorimin e robotëve për të ndihmuar kështu mungesën e fuqisë punëtore dhe për t’iu mundësuar njerëzve të bëjnë punë më kreative.