CH-Ballkani

Hapet në Prishtinë “Promenadë mërgimtare 2017”

Në kuadër të këtij aktiviteti janë promovuar edhe disa vepra letrare, si:  “Në ëndrra digjet nata”, e autorit Hasan Qyqalla, “Kthimi”, i autores Majlinda Nana Rama etj.

Me moton “Ti je pjesë e atdheut”, të premten në Prishtinë u mbajt festivali poetiko-letrar “Promenadë  mërgimtare 2017”.

Ministri në detyrë i Diasporës, Valon Murati, tha me këtë rast se ky aktivitet është vazhdimësi e përpjekjeve për ta mbajtur gjallë frymën, atdhedashurinë dhe letërsinë shqipe edhe në mërgatë.

“Përmes aktivitetit artistik letrar, ju ndihmoni në mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, promovimin e identitetit tonë kombëtar, shpërfaqjen e vlerave tona edhe në raport me vendet ku jetoni”, tha Murati në hapje të këtë aktiviteti kulturor.

Festivalin e poezisë e hapi shkrimtari Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i cili, ndër të tjera, tha se niveli i kulturës së një kombi matet me dy komponentë: e para konsumimi, leximi i krijimeve letrare artistike dhe promovimi i vlerave artistike.

Në kuadër të këtij aktiviteti janë promovuar edhe disa vepra letrare, si:  “Në ëndrra digjet nata”, e autorit Hasan Qyqalla, “Kthimi”, i autores Majlinda Nana Rama etj. Po ashtu, u promovua edhe  revista “Mirdita”, e shoqërisë kulturore-artistike “Mirdita”.

Festivali poetiko-letrar “Promenadë mërgimtare është mbështetur nga Ministria e Diasporës dhe i njëjti u organizua në kuadër të takimeve tradicionale të krijuesve nga mërgata.