Shkurt.ch

Hapet për qarkullim zona e goditur nga rrëshqitjet e dheut

Siç njoftojnë nga komuna Bregaglia, pjesë e së cilës është edhe Bondo, në këtë regjion tashmë mund të kalohet pa problem gjatë 24 orëve të ditës

Regjioni Bergell në Kantionin Graubünden, qe bërë i njohur javëve të fundit pas një sërë rrëshqitjesh të shkëmbinjve e të dheut që ndodhën në fshatin e vogël të këtij regjioni, Bondo. Për pasojë, zona rreth fshatit në fjalë për një periudhë kohore prej afër një muaji, ishte izoluar pothuajse tërësisht nga bota.

Por, siç njoftojnë nga komuna Bregaglia, pjesë e së cilës është edhe Bondo, në këtë regjion tashmë mund të kalohet pa problem gjatë 24 orëve të ditës. Qarkullimi gjatë ditës ishte siguruar edhe më parë ndërsa tash është arritur që të mundësohet qarkullim i sigurt edhe gjatë natës, bën të ditur srf.ch.

Kjo është bërë falë instalimit të një mekanizmi plotësues, i cili mundëson pamje të mjaftueshme edhe gjatë natës dhe që paralajmëron për rrëshqitjet e dheut në rrethinat e fshatit Bondo, transmeton albinfo.ch.

Atje, për qarkullimin përmes rrugës së vjetër kantonale, sipas njoftimit nga komuna e përmendur, duhet llogaritur për pritje deri në 30 minuta.