Zhvillim

Hapet sezoni turistik në Sarandë

Saranda është frekuentuar vitin e kaluar nga rreth 700 mijë vizitorë nga më shumë se 100 vende të botës

Njëri nga qytetet më të bukur në Shqipëri dhe në rajon, Saranda zyrtarisht ka hapur sezonin e ri turistik.

 

Me ceremoni të shumta dhe me ngjarje të shumta është hapur sezoni, që këtë vit pritet të ketë më shumë turistë.

 

Saranda ka një kapacitet të përnatshëm akomodues prej rreth 25 mijë shtretër dhe ende dominohet prej turistëve njëditorë të orientuar drejt turizmit kulturor. Ata mbërrijnë për të vizituar Butrintin dhe Gjirokastrën ndërsa kthehen sërish në mbrëmje në Korfuz, raporton “TCH”.

 

Saranda është frekuentuar vitin e kaluar nga rreth 700 mijë vizitorë nga më shumë se 100 vende të botës, ku një peshë të rëndësishme e zinin turistët rusë dhe polakë, përcjell albinfo.ch.

 

Këtë vit pritet që risi të jenë vizitorët amerikanë. Pritet që me përfundimin e Muajit të Ramazanit plazheve të jugut t`i shtohen edhe turistët nga Kosova dhe nga Maqedonia, që në peshën e përgjithshme vjetore të turizmit përbëjnë rreth 35% të pushuesve.