Shqipëria

Hapja e negociatave është jetë a vdekje për Shqipërinë

“Për ne, kjo është çështje jetë a vdekje, në kuptimin që hapja e negociatave do të thotë se ne po shikojmë drejt së ardhmes dhe kemi lënë pas të shkuarën”, ka thënë Rama

Hapjen e negociatave për Shqipërinë në muajin qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e konsideron jetë a vdekje. Kështu është shprehur në një intervistë për “Euronews” kreu i qeverisë shqiptare, përcjell albinfo.ch.

“Nuk na duhet një datë për të inkurajuar popullin. Ne duhet të hapim negociatat në qershor. Kjo është e gjitha. Dhe nuk na duhet asgjë tjetër. Vetëm të hapen negociatat dhe për Evropën kjo nuk kushton asgjë, nuk do të shpenzojnë asnjë cent për ne. Për ne, kjo është çështje jetë a vdekje, në kuptimin që hapja e negociatave do të thotë se ne po shikojmë drejt së ardhmes dhe kemi lënë pas të shkuarën”, ka thënë Rama.

Ai pret që të anëtarësohen në vitin 2025. “Sot po, Serbia dhe Mali i Zi janë në procesin e negociatave dhe janë përpara nesh në këtë proces. Por viti 2025 është një horizont ku të gjithë ne mund të arrijmë nëse punojmë shumë dhe bëjnë punën tonë. Nuk na duhet një datë për të inkurajuar popullin. Ne duhet të hapim negociatat në qershor. Kjo është e gjitha. Dhe nuk na duhet asgjë tjetër. Vetëm të hapen negociatat dhe për Evropën kjo nuk kushton asgjë, nuk do të shpenzojnë asnjë cent për ne. Për ne, kjo është çështje jetë a vdekje, në kuptimin që hapja e negociatave do të thotë se ne po shikojmë drejt së ardhmes dhe kemi lënë pas të shkuarën”, ka shtuar tutje kryeministri shqiptar.

Rama ka folur edhe për lirinë e mediave në Shqipërinë, që është kritikuar në raportet e ndryshme. “Kur them kazanë, në shqip është njësoj si të thuash lajme të rreme (fake news), sepse nuk përkthehet mirë kjo fjalë në shqip. Nuk e kam fyer kurrë një gazetar personalisht. Unë sigurisht shpreh mendimin tim për mediat kazanë dhe kemi shumë media kazanë sot nëpër botë. Nëse ata kanë të drejtën e tyre për të shprehur mendimet, kjo nuk do të thotë që unë nuk kam të drejtë të shpreh mendimet e mia”.

Ai është pyetur edhe për shqiptarët që jetojnë në vendet tjera, dhe a e konsideron veten lider të shqiptarëve, të popullit shqiptar. “Në Kushtetutë, ne kemi për detyrim të mbrojmë shqiptarët kudo ku ndodhen jashtë vendit, por në të njëjtën kohë mendoj se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë se sa sot. Në Kosovë, tani kanë shtetin e tyre. Në Maqedoni, janë pjesë e një revolucioni të vërtetë për ndryshimin e qasjes ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj popullit shqiptar. Në jug të Serbisë, shpresoj që kushtet e tyre do të përmirësohen duke u bazuar në faktin se serbët në Kosovës trajtohen goxha mirë”.

Sigurisht nuk mund të mungonte pyetja për deklaratat e tij lidhur me idenë për një udhëheqës të përbashkët me Kosovën. “Më vjen keq për këto reagime, por qëllimi nuk ishte që të bëhej deklaratë tronditëse. Ishte më shumë një imagjinatë, në një situatë të veçantë në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. 20 vjet më parë, nëse dikush do të kishte folur për pavarësinë e Kosovës, do të kishte tronditur botën. Sot ja ku jemi dhe çfarë do të ndodhë 20 vitet e ardhshme? Dhe para se të thoja përse të mos kemi një President për dy vendet, kisha thënë se dialogu me Serbinë do të kishte përfunduar me sukses, shqiptarët dhe serbët do të ishin anëtarë të Bashkimit Evropian. Kështu që, kishte shumë parakushte për të shkuar deri në pikën e një Presidenti të përbashkët për të dy vendet”, theksoi Rama tutje.

Sa i përket bashkimit Kombëtar ai ka këtë ide. “Gjithmonë e them se ëndrra ime është që të bashkohemi nën çatinë e Bashkimit Evropian dhe nuk kam ëndërruar kurrë për një Shqipëri të Madhe sepse unë kam një ëndërr më të madhe, një Evropë të Madhe me shqiptarët brenda saj”, u shpreh ndër të tutje Edi Rama.