Kosova

Haradinaj: Anëtarësimi në INTERPOL, do të ndihmonte edhe rajonin

“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj që të parandalojë dhe të luftojë ekstremizmin në vend dhe ky angazhim do të vazhdojë”, citohet të ketë thënë kryeministri.

 “Mbështetja e SHBA-së në proceset nëpër të cilat po kalon vendi, liberalizimi i vizave, finalizimi i dialogut me Serbinë dhe anëtarësimi në BE dhe NATO është jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj”,  ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë takimit me zëvendësndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco. Në njoftimin për media të Qeverisë thuhet se në takim, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Maroccon për të arriturat në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit ekstrem, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për paqen e qëndrueshme në vend dhe rajon.

“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj që të parandalojë dhe të luftojë ekstremizmin në vend dhe ky angazhim do të vazhdojë”, citohet të ketë thënë kryeministri.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se anëtarësimi në INTERPOL do të ndihmonte jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe BE-në në fuqizimin e sigurisë dhe se për këtë është e nevojshme edhe ndihma e SHBA-së. Zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, ka theksuar përkushtimin e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin, derisa çmoi angazhimin konkret të Kosovës në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.