Kosova

Haradinaj: Bizneset humbin mbi 300 milionë euro nga mungesa e rrymës

Haradinaj këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës me qëllim furnizimi me energji i sektorit në Kosovë, energjia e ripërtritshme

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se prodhuesit janë lënë të vetëm dhe për një vit bizneset humbin më shumë se 300 milionë euro në mungesë të energjisë elektrike. Haradinaj këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës me qëllim furnizimi me energji i sektorit në Kosovë, energjia e ripërtritshme.

“Kosova mund ta nisë një periudhë të qëndrueshmërisë së vet energjetike me kapacitetet e reja që janë paralajmëruar me “Kosovën e Re”. Por, “Kosova e Re” , kapacitetet, renovimi dhe mirëmbajtja e kapaciteteve të tashme, nuk i zgjidhin problemet e furnizimit me energji në tërësi, sepse akumulimi i energjisë është i pamundur të ndodh në rast se nuk ka burime alternative të energjisë, me këtë rast të ripërtritshme”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke u ndalur te përkrahja e prodhuesve, kryeministri tha se Qeveria do të jetë partnere në punën e tyre dhe në të gjitha sfidat e përbashkëta.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i klubit të prodhimit të Kosovës, ka thënë se çdo euro që e fitojnë në eksporte bëjnë kalkulime në energji elektrike. Ai po ashtu tha se askush nuk i kompenson humbjet e prodhuesve.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se situata energjetike nuk është e kënaqshme. Sipas tij Kosova është i vetmi vend në Evropë ku bizneset i subvencionojmë me tarifa shtëpiake. Përderisa në vendet e Bashkimit  Evropian është krejtësisht e kundërta.