Kosova

Haradinaj e konsideron si kërcënuese dhe të rrezikshme armatosjen e Serbisë me raketa

Ramush Haradinaj ka thënë se Policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira me institucionet simotra dhe për hetime mund të ftojnë edhe FBI-në dhe se nuk i mirëpresin deklarimet e askujt për ndërhyrje në veri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur lajm kërcënues dhe të rrezikshëm për Kosovën armatosjen e Serbisë me raketa. Këto deklarata Haradinaj i ka bërë në konferencën për media pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, përcjell albinfo.ch.

Haradinaj në konferencën e përbashkët me drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se deklaratat politike kanë peshë dhe se nuk duhet të neglizhohen, por sipas tij, delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë nuk është dashur të shkojë në Bruksel shkaku i lajmit të armatosjes së ushtrisë serbe me raketa që kanë rreze deri në Kosovë.

Haradinaj, ka shtuar se dënon vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe ka bërë thirrje që kjo vepër të mos përdoret nga askush për agjenda të ndryshme politike nga kushdoqoftë.

Ramush Haradinaj ka thënë se Policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira me institucionet simotra dhe për hetime mund të ftojnë edhe FBI-në dhe se nuk i mirëpresin deklarimet e askujt për ndërhyrje në veri.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka deklaruar se policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicën Veriore.