Kosova

Haradinaj: Liberalizimi i vizave mbetet aspirata e parealizuar e Kosovës

"Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë,  qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza. Kjo nuk është në përputhje me aspiratat e fuqishme të popullit të Kosovës, por po ashtu besojmë se kjo nuk është në përputhje as me vlerat e BE-së.."

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, një ditë me vonesë ka folur për takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës duke e vlerësuar lartë atë, transmeton albinfo.ch.

“Nuk mund të flasim për procesin e integrimit evropian pa përmendur çështjen e regjimit aktual të vizave për Kosovën. Liberalizimi i vizave mbetet aspirata e parealizuar e Kosovës, e të gjitha komuniteteve në Kosovë që vuajnë nga izolimi dhe mungesa e perspektivës. Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë,  qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza. Kjo nuk është në përputhje me aspiratat e fuqishme të popullit të Kosovës, por po ashtu besojmë se kjo nuk është në përputhje as me vlerat e BE-së dhe as me parimet e BE-së për të drejtat e njeriut dhe lirinë e lëvizjes”, ka thënë Haradinaj në konferencën për media.

Ai theksoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për Kosovën, duke thënë se problemet e Ballkanit nuk janë zgjedhur pa rolin serioz të Amerikës. “Sa i përket çështjes së demarkacionit, Qeveria ka thyer bllokadën dhe status-quon dy vjeçare lidhur me këtë çështje. Përgjatë dy muajve, është bërë përparim thelbësor duke e lëvizur çështjen nga status-quo-ja në një proces që do të marrë kahje drejt zgjidhjes përfundimtare”, ka thënë kryeministri.