Kosova

Haradinaj: S’ka më probleme me energji elektrike

Gjatë qëndrimit në mihje, kryeministri Haradinaj u shpreh i bindur se furnizimi me energji elektrike do të jetë në nivel gjatë sezonit të dimrit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë ka vizituar mihjen sipërfaqësore në fshatin Shipitullë, pas arritjes së marrëveshjes me banorët.

“Pas gjithë konsultave që i kemi pasur me banorët e Shipitullës dhe të Hades, menaxhmentin e KEK-ut, ministritë e Ambientit dhe të Zhvillimit Ekonomik, dhe pas një pune voluminoze kemi ardhur deri te zgjidhja. Eskavatorët kanë filluar punën dhe ende jemi në kohë që të mos ndalet prodhimi i energjisë”, deklaroi kryeministri Haradinaj, përcjell albinfo.ch.

Ai ka përmendur se vendi do të humbte rreth 500 mijë euro në ditë, po që se nuk do të arrihej kjo marrëveshje.

Gjatë qëndrimit në mihje, kryeministri Haradinaj u shpreh i bindur se furnizimi me energji elektrike do të jetë në nivel gjatë sezonit të dimrit.

Ndërsa drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, ka falënderuar kryeministrin për angazhimin e pandërprerë në adresimin e kësaj çështjeje.