Kosova

Haradinaj thotë se Kosova ka marrëdhënie të mira me fqinjët

“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për marrëdhënie të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe po vazhdon përpjekjet për të vendosur raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë”

Kryeministri Ramush Haradinaj po merr pjesë në Samitin e Bërdos në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Ai ka thënë se Kosova i përket familjes evropiane, familjes së vlerave perëndimore dhe në këtë rrugëtim nuk ka kthim prapa.

Haradinaj falënderoi Slloveninë dhe kryeministrin e saj, Miro Cerar, për kryesimin e këtij viti të SEECP dhe për rolin lehtësues në forcimin e bashkëpunimit rajonal.

“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për marrëdhënie të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe po vazhdon përpjekjet për të vendosur raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë”, tha kryeministri në fjalën e tij gjatë këtij samiti. Në njoftim thuhet se Kosova do të jetë kryesuese e SEECP në vitet 2019 -2020.