Kosova

Haradinaj tregon kur do të hiqen vizat

Kryeministri Haradinaj ka thënë se që nga marrja e mandatit si qeveri kanë bërë që Kosova të ecë përpara, ndërsa ka përkujtuar se para ardhjes së tij në krye të qeverisë, vendi ka qenë para kolapsit në energji

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se në fund të vitit qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza, pasi tashmë janë përmbushur të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai komente i bëri gjatë Kuvendit zgjedhor të AAK-së në Ferizaj, duke u shprehur se kjo qeveri do të bëjë çmos që pas demarkacionit të zgjidhjet edhe çështja e vizave, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se që nga marrja e mandatit si qeveri kanë bërë që Kosova të ecë përpara, ndërsa ka përkujtuar se para ardhjes së tij në krye të qeverisë, vendi ka qenë para kolapsit në energji.

Për më tepër, Haradinaj ka bërë të ditur se së shpejti do të hapet një minierë e re, e që ai u shpreh se beson që përveç se do të furnizojë Kosovën, do të ketë qymyr edhe për të shitur dhe të futen para në buxhet përmes shitjes së qymyrit, transmeton “Kosovapress”.

Ndërsa, ka thënë se me hapjen e kësaj miniere do të krijohen edhe vende të reja të punës, ku ka thënë se në perimetrin Obiliq, Fushë Kosovë, Vushtrri, Drenas dhe disa lagje të Prishtinës nuk do të ketë të papunë.