Sport

Haziri uron FC Kosovën për sukseset e arritura

Adnan Ismajli, në emër të klubit FC Kosova ka njoftuar kryetarin e Komunës ë Gjilanit, Lutfi Haziri me mënyrën e organizimit, rrugën nëpër të cilën ka kaluar ky klub, deri në Ligën e Parë të Zvicrës, por edhe vendosmërinë për të punuar për suksese të mëtejme

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur zyrtarët e klubit FC Kosova seniorët nga Zvicra, të cilët tashmë kanë hyrë në Ligën e Parë të Zvicrës dhe është ekipi i parë që ka arritur këtë nivel në futbollin zviceran nga komunitetet pakicë që jetojnë në këtë shtet, raporton albinfo.ch.

“Urime për klubin tuaj, për shqiptarët në Zvicër dhe veçanërisht në Cyrih. Si fëmijë gurbetqari edhe unë për një kohë kam jetuar atje, e di se gëzimi juaj dhe i shqiptarëve atje është dhjetëfish më i madh, por një lajm shumë i gëzuar është edhe për neve në Kosovë. Është ardhur një kohë shumë e mirë, shqiptarët po plasohen para të tjerëve kudo nëpër botë me punë të mira me kulturë, me sport dhe suksese në fusha të ndryshme, për dallim prej një kohe të mëhershme, kur imazhi për shqiptarët ka qenë jashtëzakonisht i rëndë, sepse i tillë është prezantuar nga individ, mekanizma dhe grupe të caktuara”, ka thënë kryetari Haziri, njofton faqja e Komunës së Gjilanit.

“Koha ka ndryshuar, tashmë në vendet e ndryshme nëpër botë kemi shqiptarët me kulturë dhe qytetari të lartë, të barabartë me komunitetet shumicë në shtete të ndryshme të botës. Kjo kulturë dhe kjo kohë e mirë ka ardhur vetëm me punë të përkushtuar dhe me angazhim. Jemi jashtëzakonisht krenarë me ju dhe shumë të gëzuar me arritjet tuaja”, theksoi Haziri.

Ai më tej ka bërë të ditur edhe kalendarin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, sportive, pastaj aktiviteteve në teatër, film dhe aktivitete të shumta rinore, që ka organizuar Komuna e Gjilanit për periudhën e ardhshme gjashtë javore për pritjen e bashkëpatriotëve apo bashkatdhetarëve nga mërgata.

Kurse, Adnan Ismajli, në emër të klubit FC Kosova ka njoftuar kryetarin Haziri me mënyrën e organizimit, rrugën nëpër të cilën ka kaluar ky klub, deri në Ligën e Parë të Zvicrës, por edhe vendosmërinë për të punuar për suksese të mëtejme.

Ndryshe, FC Kosova do të luajë ndeshje miqësore me klubin Bashkimi të Koretinit dhe klubin Dardana.

Klubi “FC Kosova”, i ka dhuruar kryetarit Haziri, flamurin e klubit dhe fanelën e lojtarit me numrin 9 dhe emrin e tij, si shenjë respekti dhe përkrahje që vazhdimisht ka dhënë për këtë klub të sportit në diasporë.