Kosova

Heldt: Investimet strategjike dhe diaspora, çelës të zhvillimit ekonomik

“Ka investitorë gjermanë që mund të investojnë në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë. Përfshirja e diasporës kosovare që jeton në Gjermani në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës, gjithashtu, është e rëndësishme”

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi në takimin që ka pasur me ambasadorin gjerman, Christian Heldt, kanë diskutuar për përmbushjen e detyrimeve për liberalizimin e vizave dhe kompletimin e këtij procesi të rëndësishëm për ecurinë e shtet ndërtimit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Në njoftimin për media thuhet se nevoja e investimeve strategjike dhe roli i diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të Kosovës ishin disa nga temat që u diskutuan në takim.

“Mbështetja e Gjermanisë si në të kaluarën, tash dhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe çështjeve të tjera me rëndësi, si investimet strategjike, është e domosdoshme, dhe kosovarët janë të vetëdijshëm dhe mirënjohës për këtë”, ka thënë Gashi, transmeton albinfo.ch.

Ambasadori gjerman, Christian Heldt, ka kërkuar sa më parë të funksionalizohet aspekti ligjor i investimeve strategjike, që të nisë ky proces. “Ka investitorë gjermanë që mund të investojnë në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë. Përfshirja e diasporës kosovare që jeton në Gjermani në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës, gjithashtu, është e rëndësishme”, ka thënë ambasadori Heldt.