Zhvillim

Helvetas u hap horizonte punësimi fermerëve të Kamenicës

„Duke pasur parasysh prodhimet e bimëve frutore në Malësinë e Kamenicës, qumështorja „Malësia“ mund të prodhojë jogurt frutash të një cilësie të lartë“, thotë Carlos Marbach, konsulent për prodhime qumështi

Vendimi i organizatës zvicerane HELVETAS që Kamenica të përzgjedhet njëra nga katër komunat e Kosovës, krahas Novobërdës, Shtërpces dhe Dragashit për zbatimin e projektit APR (Aftësitë për Punësim Rural) ishte mëse i qëlluar. Që nga fillimi i këtij aktiviteti u dëshmua se Kamenica, vërtet, është një komunë që plotëson të gjitha kriteret për realizimin e këtij projekti. Vetë konfiguracioni gjeografik kodrinor-malor, pastaj interesimi i të rinjve për vetëpunësim, angazhimi i facilitatores së projektit, Lirije Hajrizi-Dërmakut, por edhe gatishmëria e strukturave komunale për bashkëpunim kishte ndikuar që projekti APR të rezultojë si mjaft i qëlluar dhe i suksesshëm në këtë komunë.

Ideja e projektit për t’i trajnuar të rinjtë e moshës prej 16-30 vjeç ishte përqafuar nga shumë të rinj, të cilët me vetëbesim kishin propozuar dhe përzgjedhur fushat për trajnim.

Koordinimi i mirë i aktiviteteve ndërmjet HELVETAS-it në Prishtinë dhe grupeve si dhe zgjedhja e përbashkët e trajnerëve ka sjellë rezultate të mira. Në fillim të vitit, një grup i të rinjve nga Kamenica u përcaktuan për një fermë për rritjen e zogjve. Ata ndoqën trajnimin përkatës, përmbushën obligimet e tyre ndaj projektit, morën ndihmën përkatëse nga HELVETAS-i dhe brenda një afati të shkurtër ata u bënë pronarë të një ferme pulash nga e cila ata kanë filluar aktivitetin ekonomik.

Natyrisht, ky model i punësimit u parapëlqye nga shumë të rinj e të reja, të cilët vërshuan zyrën e HELVETAS-it në Kamenicë, duke sjellë projektpropozime nga fusha e bujqësisë, e teknologjisë informative, e zdukthtarisë, e blegtorisë, e rrobaqepësisë, flokëtarisë etj.

U trajnuan 214 e u punësuan 50% e tyre

Kështu, gjatë këtij viti u trajnuan gjithsej 214 persona prej të cilëve, pothuajse, 50% u vetëpunësuan ose u punësuan në ndërmarrjet ku edhe kryenin trajnimin.

Gjithsesi, kjo ka bërë që facilitatorja e HELVETAS-it në Kamenicë, tashmë, ka identifikuar edhe shumë profesione ku shpreson që vitin e ardhshëm do të trajnohen, respektivisht punësohen shumë të rinj, e me këtë edhe do të shmangen ambiciet e të rinjve për ta lëshuar vendin në kërkim të një perspektive pune në shtetet perëndimore.

Rrobaqepësia- kreativitet dhe punësim për gjininë femërore

Pronarja e shtëpisë së modës  ER-ROSI, zonja Ibadete Sermaxhaj, e cila ka gjashtë vjet që merret me këtë zeje, në mars të këtij viti kishte paraqitur një projekt për trajnimin e një grupi vajzash të reja. Në lokalin e saj kishte trajnuar 14 vajza, në mesin e tyre edhe serbe e rome, dhe prej tyre 12 i kishte ndalë në punë të përhershme. Brenda një kohe të shkurtër ekipi i saj kishte arritur të plasojë punimet e veta gjithandej Kosovës, me tendencë rritjeje edhe jashtë atdheut.

Miranda Haxhiu (19) është e lumtur që i është dhënë mundësia ta mësojë këtë zeje, aq më tepër kur punimet e saj dhe të ekipit do të jenë edhe pjesë e konkurrencës kreative të modës që organizohet nga „Gecjan fashion Group“ në dhjetor të këtij viti.

Tradita – me ushqime tradicionale në mënyrë profesionale

Një përfituese tjetër e projektit APR ishte Feime Rexhepaj pronare e ndërmarrjes TRADITA nga Kopërnica. Biznesi i saj ka të bëjë me përgatitjen e rreth 10 ushqimeve tradicionale shqiptare. Për këtë biznes ajo kishte trajnuar 10 persona ku 6 prej tyre kryesisht femra i kishte ndalur në punësim të përhershëm. Feimes, përveç  HELVETAS-it i kishte ndihmuar edhe Kuvendi Komunal i cili i kishte mundësuar dhënien e një lokali të përshtatshëm me qira në qendër të qytetit.

Bashkëpronari i firmës së zdrukthtarisë F&N Haki nga Hogoshti, zoti Naim Muslijaj thotë se falë ndihmës së HELVETAS-it ai ka trajnuar tre meshkuj dhe 7 femra. Kjo firmë merret kryesisht me prodhimin e bishtave prej druri dhe mbulon rreth 80 % të tregut të Kosovës, por shitjen e ka zgjeruar edhe në Zvicër. Naimi thotë se gjatë vitit prodhon deri në 135 mijë bishta (22 lloje) për vegla të ndryshme pune.

Po ashtu sukses po tregon edhe ndërmarrja e zdrukthtarisë „Modeli“ në Koretin që ka punësuar dy të rinj, si dhe ferma për prodhimin e zogjve „Thëllëza“ në Gmicë, që është pjesë e projektit APR.

Petriti nga Rogana, pronar i Studios për video dhe fotografi – KPH, në bashkëfinancim me HELVETAS-in ka oraganizuar 15 ligjërata për 7 të rinj në fushën e fotografisë dhe incizimit pamor. Në studion e tij, biznes i ngritur me përkrahjen e projektit APR, tashmë kanë gjetur punë të rregullt tre të rinj, të cilët me të ardhurat që realizojnë nga ky profesion ndihmojnë familjet e veta. Madje, „gjatë verës kur vijnë mërgimtarët për pushime, me ç’rast edhe organizojnë dasma e ahengje familjare shtohet kërkesa për incizime, kështu që mund t’i punësoj edhe tre e më tepër të rinj të tjerë“, shton Petriti.

Komuna e Kamenicës dallohet për nga blegtoria, bletaria, pemëtaria dhe bimët e malit (natyrale dhe të kultivuara), si sektorë që gjenerojnë punësim dhe krijojnë të ardhura. APR, ka ndihmuar që të forcojë këta sektorë nëpërmjet ofrimit të trajnimeve profesionale dhe të avancuara. Gjithashtu, projekti ka koordinuar aktivitetet me instuticionet publike komunale dhe kompanitë lokale/rajonale. Falë bashkëpunimit të mirë, projekti ka mbështetur 21 përfitues me fidanë për mbjelljen e mullagës së zezë, ndërsa Komuna e Kamenicës ka mbështetur këta përfitues me serra për tharjen e bimëve me vlerë prej 175 euro për fermer ose 3675 euro në total. Mbështetja me fidanë dhe serra për tharje u mundëson fermerëve që të rrisin të ardhurat dhe të kenë më të lehtë punën e tyre.

HELVETAS-i ndërmjetëson vendorët edhe me fondacionin zviceran SWISSCONTACT

Në fillim të dhjetorit, në qumështoren „Malësia“, në Kamenicë kishte qëndruar eksperti vullnetar nga Zvicra z. Carlos Marbach i cili merret me përpunimin e qumështit dhe prodhimin e djathit. Për dy javë qëndrimi në qumështoren „Malësia“, z. Marbach kishte identifikuar kërkesat e pronarit për llojet e prodhimeve të dëshiruara. Në saje të analizës së cilësisë së qumështit ai i kishte preferuar „Malësisë“  recepturat për llojet e djathërave që do të mund t’i prodhojë „Malësia“ në të ardhmen. Përveç kaçkavallit dhe djathit të bardhë, të cilin zoti Marbach e vlerëson lartë, ai mendon se këtu mund të prodhohet edhe  djathi i llojit Çedër (me përmbajtje të yndyrës deri në 48%) që ka prejardhjen nga një fshat me të njëjtin emër në Angli, pastaj djathi i llojit Tilsit (me yndyrë 30-60%) që i gjason djathit të markës Emmental nga Zvicra etj.

„Duke pasur parasysh prodhimet e bimëve frutore në Malësinë e Kamenicës, siç janë manaferra, dredhëza, boronica, mjedra etj., besoj që në të ardhmen qumështorja „Malësia“ do të mund të prodhojë jogurt frutash të një cilësie të lartë“, thotë z. Marbach.

Z. Marbach është pjesë e ekipit “Malësia” falë bashkëpunimit ndërmjet projektit APR, Swisscontact dhe Malësia. Partnerët në fjalë kanë koordinuar aktivitetet dhe pjesën financiare me qëllim që Malësia ta ketë të mundshme shfrytëzimin e ekspertizës ndërkombëtare. Z. Marbach është pjesë e një grupi ekspertësh të pensionuar që përmes Swisscontact-it angazhohen në shtetet në zhvillim dhe në Evropën Lindore. Angazhimi i tij është vullnetar.

Xhevdet Kallaba