Futboll

Historia e parë e futbollit në Shqipëri u jetësua nga togeri austro-hungarez

Aksioni humanitar austro-hungarez, që erdhi në jetë në Shkodër, kishte edhe dimensione të brendshme politike: të ripërtrijë emrin e mirë, pas dështimit të rëndë diplomatik.

Austro-hungaria ka qenë ndër perandoritë e vetme që vazhdimisht kishte mbështetur pavarësinë e Shqipërisë dhe këtë e kishte ndihmuar edhe financiarisht. Pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë në 28 nëntor 1912 nga Ismail Bej Vlora, tashmë ndihmat financiare nga Vjena duheshin të kontrolloheshin më tepër, megjithatë “Aksioni Shkodër” mbetet ndër ndihmat më të mëdha humanitare të monarkisë danubiane në grahmat e fundit të saj.

I njohur si “Aksioni Scutari” në kacelaritë austro-hungareze, ai përbënte një ndihmë humanitare ndaj banorëve të Shkodrës, që do ishte edhe qendra kulturore e protektoratit austro-hungarez (për të mbrojtur banorët katolikë përmes përfaqësuesve të monarkisë). Kjo erdhi edhe me urdhër të vetë ministrit të Jashtëm, Leopold Berchtold, pasi rajoni ishte i rëndësishëm për interesat austro-hungareze.

Një toger në Shqipëri

Me mbështetje personale të perandorit Franc Josef, shteti austro-hungarez dërgoi ndihma humanitare drejt Shqipërisë me anijet luftarake. Për këtë aksion udhëheqës ishte vendosur togeri Elias Dushan Zsivkovicz nga Torontal-Sziget (alias: Ilija Živković) – një oficer me origjinë serbe dhe nënshtetësi hungareze. Sipas përshkrimit ai fliste rrjedhshëm shumë gjuhë të huaja dhe mbante raporte të veçanta me njerëzit. Gjatë kohës së aksionit punonte me regjimentin 32, ndërsa edhe pas përfundimit të aksionit humanitar ai mbeti në Shkodër – ku mbi të gjitha ishte përgjegjës për sigurinë publike të qarkut ku ishin vendosur diplomatët austro-hungarezë.

Togeri në qershor 1914 deshi të aktivizojë rininë shqiptare, që dukeshte me përditshmëri monotone dhe pa qëllime në jetë. Pasi në Shqipëri nuk kishte sistem funksional shkollor, ai mendoi të nxiste sportin. Me leje nga shtabi gjeneral dhe trupat austro-hungareze, ai mblodhi të rinjtë shqiptarë të moshave 14 deri 20 vjet dhe u mësoi atyre artet moderne të sportit europian.

Zsivkovics, mbi të gjitha u mësoi futbollin – sportin më të madh të së ardhmes së afërt

Pas disa kohësh stërvitje ai krijoi edhe klubin e parë austro-hungarezo-shqiptar dhe organizoi turnirin e parë në historinë e Shqipërisë. Lajmi për turnirin në qarkun austro-hungarez pushtoi gjithë vendin dhe oficerët britanikë u ndjenë të fyer, që ideja për ti bërë për vete të rinjtë shqiptarë nuk u jetësua nga ata. Megjithatë britanikët dërguan lojtarët e tyre në turnir. Shembullin e britanikëve e ndoqën edhe oficerët francezë, italianë dhe gjermanë.

Kështu në turnirin e Shkodrës morën pjesë disa klube me etni të ndryshme pak përpara Luftës së Parë Botërore: klubet si britaniko-shqiptar, italiano-shqiptar, gjermano-shqiptar si dhe austro-hungarezo-shqiptar. Në turnir u pa edhe rivaliteti i fuqive të mëdha, por fatkeqësisht nuk është ruajtur informacioni se cila skuadër fitoi turnirin e Shkodrës.

Sporti për të fituar “emrin e mirë”

Aksioni humanitar austro-hungarez mbi tokën shqiptare ishte mbi të gjitha si reaksion ndaj dështimit në Konferencën e Londrës (1912–1913). Vjena vlente si mbështetësja kryesore e Shqipërisë, por nuk ishte e zonja të shmang vijën e padëshiruar kufitare të Shqipërisë. Gjithashtu nuk u pa fundi i konflikteve dhe luftërave në bregdetin adriatik nga Fuqitë e Mëdha.

Aksioni humanitar austro-hungarez, që erdhi në jetë në Shkodër, kishte edhe dimensione të brendshme politike: të ripërtijë emrin e mirë, pas dështimit të rëndë diplomatik.