Guida turistike: Zbulo bukuritë e Kosovës

Hotel Koshare, aty ku u shemb kufiri

 

Hoteli “Koshare” është vetëm 9 kilometra nga Juniku ndërsa 25 kilometra nga Gjakova, shumë afër kufirit me Shqipërinë (Grykës se Shkëlzenit) dhe varrezave të dëshmorëve në Koshare.

Derisa drekoni aty, mund ta shihni nga tarraca e restorantit si në pjatë Rrafshin e Dukagjinit. Projektin e kishte bërë realitet një mërgimtar që prej vitesh jeton në Zvicër. Investimi milionësh ishte konkretizuar më 25 korrik 2013 nga mërgimtari nga Zvicra, në përurimin e të cilit erdhën shumë mysafirë nga të gjitha anët e Kosovës. Investitori nga Zvicra, Bashkim Mehmeti fillimisht kishte blerë tokën prej 6 hektarësh.  Qëllimi i vetëm i tij ishte promovimi i turizmit në vend dhe ngjallja e asaj pjese të Kosovës që shkroi historinë. “Kjo tokë e jonë do investim, do ndërtim. Nëse nuk e ndihmoj unë kush atëherë do ta ndihmonte? Dhe lindi ëndrra. Mu duk se në mes të Koshares po e shihja një hotel të bukur që ia shtonte bukurinë bjeshkës dhe shkëlqente si në përrallë. Nga ato përrallat më të bukura të lugjeve të verdha”, tregon Mehmeti.

Aty ku u lind legjenda dhe historia

Me një investim të tillë milionash në turizëm, mërgimtari nga Zvicra diku tjetër do të fitonte 3 herë më shumë, por lidhja me vendin dhe historinë që ka ky vend, e ka bindur Bashkim Mehmetin të lëshonte rrënjë aty, në maje të bjeshkës. Me mjete vetanake Bashkimi kishte siguruar të gjithë infrastrukturën duke filluar nga energjia elektrike dhe ujësjellësin, detyrë kjo e komunave në çdo vend të botës.

Pse emrin Koshare? “Përfundimisht vendosëm ta quajmë “Hotel Koshare” sepse është në Koshare dhe se trimat e futën përsëri Kosharen në histori dhe legjendë”, thotë Mehmeti duke iu referuar luftës çlirimtare të Kosovës dhe vendit ku përfundimisht u shemb kufiri që ndante shqiptarët padrejtësisht.

Janë punësuar 15 veta

Dritat vezulluese të Hotelit  prishin monotoninë e natës në Koshare. Si sot i kujtohet dita e inaugurimit pronarit të hotelit. “E pabesueshme”, thoshin të pranishmit, u kthye jeta edhe një herë në Koshare. Ia vlen. “Hotel Koshare” lëshoi shtat. Aty u punësuan 15 persona. Dhe prapë mu kujtuan fjalët e babës: “Kjo është toka jonë. Ju duhet të luftoni dhe ta ndërtoni atë”. Duke e pirë kafen në tarracën e hotelit në mbrëmje, i shkujdesur, shikoja si në pëllëmbë të dorës Rrafshin e Dukagjinit. Nga dritat e shumta ky rrafsh më dukej si në filmat amerikanë. Buzëqesha dhe thash me vete: “Sikurse në Las Vegas, si në përrallë”. Sa i bukur është vendim im”, pëshpërita. Faleminderit o Zot që na ke dhuruar këtë vend kaq të bukur”, shprehet Mehmeti.

Fshatin Koshare e kishin braktisur para luftës edhe ato pak familje që jetonin aty ndërsa me investimet në projektet e turizmit do të nxitet edhe kthimi i banorëve në vatrat e tyre në këtë pjesë të Kosovës.

 

Rrafshi i Dukagjinit, si në pëllëmbë të dorës

Pjesa më e rëndësishme e „Hotel Koshares“ është tarraca. Aty përveç bukurive të bjeshkëve të magjeps shikimi nga lartë  i rrafshit të Dukagjinit. Tashmë ky vend është zbuluar edhe nga turistët e huaj. Hoteli ka kapacitete prej  9 dhomash ndërsa çmimet sillen prej 20 euro për një natë. Nëse do ushqim të bjeshkëve, e gjen aty po nëse do edhe ushqime të qytetit, i gjeni të gjitha aty. Specialitet shqiptare, mish qengji, viçi etj.

 

 

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/hotel-koshare-aty-ku-u-shemb-kufiri/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.