Bota

Hoteli i parë në hapësirë

Një kompani ka njoftuar se planifikon të hapë atë që po e quan hotelin e parë luksoz në botë, por në hapësirë. Orion Span bëri njoftimin në Samitin Space 2.0 në San Jose, Kalifornia, të enjten, duke zbuluar planet e tyre për “Stacionin Aurora”, përcjell albinfo.ch.

Derisa planifikohet që mysafirët e parë të vijnë në hotel më 2022, Aurora është një stacion i planifikuar hapësinor i modifikuar, i aftë për të pritur gjashtë vetë në të njëjtën kohë. Qëndrimi nuk vjen i lirë; aventura 12-ditore kushton 9.5 milionë dollarë për person.

Orion Span tashmë ka filluar të marrë rezervime me depozitë prej $ 80,000. Para se të niset, të ftuarit duhet të përfundojnë një kurs trajnimi tre mujor, pjesërisht online e pjesërisht në zyrat e kompanisë në Hjuston të Teksasit. Sipas Orion Span, mysafirët do të jenë në gjendje të marrin pjesë në “eksperimente kërkimore, si rritja e ushqimit gjatë orbitës” dhe të mbajnë kontakt me njerëzit në Tokë nëpërmjet internetit me shpejtësi të lartë.