Kosova

Hoxha: Rruga jonë integruese e pakthyeshme

Në dhjetëvjetorin e Pavarësisë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një ndër qëllimet kryesore të shtetit të Kosovës, ka thënë ministrja e integrimit evropian, Dhurata Hoxha.

Në konferencën ndërkombëtare “Një dekadë pavarësi-Rruga Evropiane e Kosovës”, ministrja Hoxha ka deklaruar se janë të vetëdijshëm që procesi i integrimit është sfidues dhe kërkon shumë punë e reforma, por sipas saj Qeveria ka bërë një përshpejtim të procesit, përcjell albinfo.ch.

“Ne duhet ti kryejmë punët tona, por edhe Bashkimi Evropian duhet të na takojë kur t’i përfundojmë”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj është shprehur se në këtë dekadë ka pasuar dy dimensione të shtetndërtimit që kanë treguar që Kosova është storie e suksesshme, duke krijuar sipas tij institucione, e duke përmirësuar gjendjen ekonomike.

“Dimensioni i dytë ka qenë si ta bëjmë shtetin pjesë të hartës politike. Kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshjen e MSA-së me BE-në. Për ne anëtarësimi në BE nuk është vetëm qëllim politik. Për ne ky anëtarësim është qëllimi ynë gjeostrategjik. Nuk duhet të dorëzohemi derisa flamurin e shtetit të Kosovës ta ngrisim në OKB”, ka thënë Hoxhaj.