Shkurt.ch

Hungaria u hap rrugë refugjatëve, Zvicra pret “invazion” të tyre

Pasi që Hungaria ka lejuar të gjithë refugjatët që ishin strehuar atje ta lëshonin vendin, një pjesë e fluksit të tyre pritet të “shkarkohet” edhe në Zvicër. Qindra dhe mijëra refugjatë janë nisur me trena nga Budapesti drejt shteteve të Evropës Perëndimore. Pasi që disa nga këta trena kalojnë nëpër Zvicër, (Buchs të kantonit St. Gallen) policia e këtushme ka marrë masat e nevojshme. Ajo është stacionuar që nga mëngjesi në këtë vend.

Edhe para kësaj, javëve të fundit në Zvicrën lindore kanë ardhur dhjetëra refugjatë me trenat e natës nga Budapesti. Por, për ditën e sotme, policia pret një rritje të madhe të numrit të atyre pasi që autoritetet hungareze kanë vendosur nga e hëna të mos e pengojnë më ikjen e refugjatëve nga vendi i tyre.

Në Buchs, që është stacioni i parë hekurudhor i Zvicrës nga ana lindore, policia është përgatitur, thotë për televizionin zviceran zëdhënësi i policisë, Hanspeter Krüsi. Policia kantonale e St. Gallenit është në kontakt edhe me policinë austriake, ka thënë ai.
Sot në mëngjes, rreth orës 8 në një tren të ardhur nga Vjena në Buchs kanë zbritur katër refugjatë, të cilët janë në trajtim të policisë para se të dorëzohen ë qendrën e pranimit të azilkërkuese në Altstätten.

Treni “Wiener Walzer” që pritet të vijë së shpejti, konsiderohet se do të sjellë me vete më shumë refugjatë se që kanë ardhur zakonisht deri tash.