Sport

Hyka fillon aventurën në Amerikë

Ai kishte në fillim telashe sa i përket vizës amerikane, megjithatë, tashmë e ka marrë dhe është shprehur shumë i lumtur

Edhe pse pak me vonesë, aventura e futbollistit shqiptar, Jahmir Hyka ka filluar në skuadrën amerikane, San Jose, shkruan albinfo.ch.

Ai kishte në fillim telashe sa i përket vizës amerikane, megjithatë, tashmë e ka marrë dhe është shprehur shumë i lumtur.

Futbollisti shqiptar në një intervistë për “Luzerner Zeitung” ka thënë se është shumë i lumtur që tani do të luajë në kampionatin amerikan. “Jam shumë i gëzuar. Prej kur jam profesionist, qëllimi im ka qenë të luaj në Major League Soccer. Tani më erdhi rasti dhe mezi pres të filloj aventurën e re.

Në San Jose nuk ka shumë lojtarë që janë aktivizuar më parë në Evropë. Me eksperiencën time besoj se mund të ndihmoj mjaft klubin San Jose.

Liga amerikane është diçka e re për mua dhe me këtë nënkuptoj se edhe unë mund të mësoj shumë nga loja dhe taktika e tyre”, ka thënë futbollisti shqiptar, i cili la skuadrën zvicerane Luzern për atë amerikanë, San Jose.