Integrimi

I refuzohet pasaporta zvicerane turkes, jehona e lajmit mbërrin deri në Kinë!

Qëkur në shtypin zviceran është publikuar edhe protokolli i “marrjes në pyetje” të vajzës turke, në opinion, veç moskuptimit ka shpërthyer edhe mllefi me zyrtarët që janë përgjegjës për gjithë këtë marrëzi

Ka me qindra raste kur një të huaji/të huaje në Zvicër i refuzohet natyralizimi dhe askush nuk merret me këtë. Por ndryshon puna me të renë turke Funda Yilmaz nga qyteti Buchs i Kantonit Aargau. Ndonëse e lindur, rritur dhe shkolluar  në Zvicër ndërsa Turqinë e njeh vetëm nga pushimet verore, Funda është përballur me hedhjen poshtë të kërkesës së saj për pasaportën zvicerane. Pasi që ky refuzim ka ardhur për shkaqe absurde dhe fare banale, rasti i saj ka bërë jehonë të madhe, tashmë edhe jashtë Zvicrës.

Qëkur në shtypin zviceran është publikuar edhe protokolli i “marrjes në pyetje” të vajzës turke, në opinion, veç moskuptimit ka shpërthyer edhe mllefi me zyrtarët që janë përgjegjës për gjithë këtë marrëzi, transmeton albinfo.ch..

Gazeta Aargauerzeitung ka bërë një përmbledhje të reagimeve të shtypit të huaj, duke filluar nga ai në fqinjësi, gjerman e francez e deri te shtypi amerikan, turk dhe madje edhe ai kinez, në fokus të të cilave është rasti “Funda”.

Kështu, revista gjermane “Der Spiegel” shkruan: “Zvicra është vendlindja, atdheu i saj por kjo gjë nuk mjafton që ajo të fitojë pasaportën zvicerane. Një ndër shkaqet e refuzimit është se ajo blen në “Aldi” (rrjeti tregtar gjerman).

Ndërsa Zeit Online gjerman, si shkas për refuzimin e pasaportës për turken e re e vë faktin banal se ajo nuk ka njohuri rreth hedhjes së vajit të përdorur (!) dhe ndarjes së mbeturinave. Ndërsa lidhur me protokollin, gazeta shkruan se është një shembull ku si rrallëherë përshkruhet aq mirë arbitrariteti i autoriteteve.

Lidhur me hedhjen e vajit të përdorur flet edhe Süddeutsche Zeitung e cila shpjegon për lexuesit e saj se si mund të fitosh shtetësinë zvicerane, duke përmendur këtu disa kritere jo shumë të qarta dhe konkrete.

Gazeta franceze “L`Express” e vë këtë titull: “A dëshironi të emigroni? Një e huaj me qëndrim në Zvicër dështon ta plotësojë testin e natyralizimit”, transmeton albinfo.chGazeta më tutje, për të vënë theksin në absurditetin e kritereve, përmend rastin e familjes kosovare të cilës i është refuzuar pasaporta zvicerane me pretekstin se dalin në rrugë të veshur me “trenerka” (tuta).

Ngjashëm shkruan edhe “The Guardian” anglez. “A duhet që të huajt të dinë se si hidhet vaji i përdorur, për t`u bërë zviceranë? A e meritojnë pasaportën zvicerane ata të huaj që blejnë në shitoren e fshatit  më shumë se ata që blejnë në supermarket? Dhe: çfarë lloj sporti është Hornussen (një lojë tradicionale zvicerane në mes të bejsbollit dhe golfit).

Ndërsa mediat turke është e nënkuptueshme që do të merren me fatin e “bijës së tyre”. “Pasi që nuk e ka ditur emrin e kasapit të fshatit, një turkeje në Zvicër i është refuzuar shtetësia zvicerane” shkruan “arti+33”, duke shtjelluar më tej debatin që ka ngjallur ky rast në Zvicër.

Kulmin këtyre reagimeve sigurisht ia ka vënë shtypi kinez. Kështu, “The News Lens” në gjuhën kineze shkruan veç tjerash: “A mund të bëhesh shtetas zviceran nëse nuk i njeh bizneset lokale dhe sportet tradicionale të Zvicrës? Gazeta madje e sqaron me një artikull të veçantë se çfarë lloji sporti është ai “Hornussen”: “Një sport i fshatarëve të Zvicrës”.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/i-refuzohet-pasaporta-zvicerane-turkes-jehona-e-lajmit-mberrin-deri-ne-kine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.