Zhvillim

Të rinj, të arsimuar mirë dhe nga Ballkani

Krahas të gjitha të këqijave që shpërfaq fluksi i refugjatëve ballkanikë, po formësohet edhe në opinionin gjerman po formësohet një opinion për të përfituar nga e gjithë kjo

Fluksi i madh i refugjatëve nga Ballkani dhe në veçanti nga Kosova e Shqipëria që ka “vërshuar” Gjermaninë, ka bërë që mediet gjermane të “vlojnë” nga artikujt që merren me këtë fluks, me ankesat e shtetit që duhet të strehojë gjithë këtë masë refugjatësh të papritur dhe me interpretimet më të ndryshme që i bëhen këtij fenomeni. Krahas të gjitha të këqijave që shpërfaq ky fluks dhe që gjejnë vend në medie, së fundi po formësohet edhe një qëndrim ndryshe në opinionin gjerman për të përfituar nga e gjithë kjo. Pas shkrimit në FAZ ku kosovarëve u “urohet mirëseardhje”, njohësi i mirë i shqiptarëve Norbert Mappes-Niedik ka botuar një artikull në Mittelbayrishe.de me titullin “I ri, i arsimuar mirë dhe nga Ballkani”.
“Se si bëhet një biznes plan Ornela e di tashmë. Së shpejti ajo do të jetë një “succesful and innovative etrepreneur” (ndërmarrëse e suksesshme dhe inovative), thotë 23 vjeçja në një anglishte të rrjedhshme. Por, para kësaj ajo dëshiron të bëjë një master në ekonominë e ndërmarrjes dhe “më me dëshirë në Gjermani”, përshkruan Niedik takimin me studenten ambicioze në “Nehemiah Gateway University” në Shqipëri.

“Kush beson se di diçka për Shqipërinë nuk ka qenë akoma në Buçimas. Në periferi të fshatit të varfër në perëndimin e egër të Shqipërisë gjendet universiteti Nehemiah Gateway University. Një kampus i tillë do te ishte më i pritshëm diku në Kaliforni: Godina moderne me salla mësimi me ndriçim vezullues ashtu si dhe studentët ambiciozë, sigurimi në porta, një barë që duket sikur të jetë prerë me brisk rroje”, transmeton albino.ch mediumin gjerman. Në një ambient të tillë bën pjese edhe studentja e përmendur më lartë e cila vjen nga Pogradeci dhe synon që “dikur” të mund të investojë edhe në Shqipëri.
Ndërkaq, komenton autori i shkrimit, një studente si Ornela në fakt do të ishte e dobishme në Gjermani, aty ku “politikanët dhe ekonomia flasin për mungesë fuqie punëtore profesionale dhe për fondet e rrezikuara pensionale. Dhe në të njëjtën kohë, disa qindra kilometra në juglindje po rritet një gjeneratë me uri për arsimim, për udhëtime, një gjeneratë shume premtuese në një ambient pa punë dhe pa perspektivë, përcjell albinfo.ch.  “Por, kërkesa perëndimore dhe oferta lindore nuk shkojnë mirë bashkë”. Ndersa i vetmi segment ku këto kanë arritur të bashkëjetojne është ai i përgatitjes së infermiereve për tregun gjerman të punës. Përmes GIZ deri tash janë transferuar, pas kurseve të gjermanishtes të kryera në Ballkan, rreth 260 infermiere në Gjermani.
Në vazhdim Niedik kalon në Kosovë, atje ku “praktikisht secili taksist di gjermanisht dhe ku, në qytete secili nen 30 vjeçar flet në një anglishte të kultivuar”. Por këtu, rreth 50 mijë të rinj që absolvojnë në shkolla dhe universitete ia mësyjnë një tregu të punës pothuaj inekzistent.  Papunësia e të rinjve shkon deri në 70%.
Nga ana tjetër, një vizë gjermane për studime e kane marrë gjithsej 54 kosovarë, ndaj 700 marokenëve dhe më shumë se 3000 indianëve. Ndërsa një “kartë të kaltër” për absolventë që fitojnë mirë deri tash kanë mundur ta fitojnë vetëm 5 kosovarë. Për këtë arsye Dusan Reljic, eksperti i Ballkanit nga Fondacioni i Berlinit për Shkencë dhe Politikë rekomandon një “pakt punësimi” në mes të vendit të vogël (Kosovës) dhe BE-së, me një reformim të arsimit profesional dhe me migracion të rregulluar. Vetëm kështu mund të evitohet që migrantët e punës të vijnë në sektorin e pagave te ulëta të tregut të punës në BE.
Ndryshe nga arsimi universitar, ku ekzistojnë shembuj të mirë, në Ballkan pothuaj mungon arsimi profesional, transmeton albinfo.ch. Konkretisht në Kosovë diskriminimi i shqiptarëve gjatë viteve `90 nga regjimi serb, plakja e mësuesve të lëndëve profesionale, bashkë me pagesën e dobët të tyre dhe mungesën që kanë edhe ata vetë në mësimin praktik e bën këtë segment të papërfillshëm.

 

Në Kosovë, të gjithë studiojnë politikën dhe duan të bëhen këshilltarë presidentësh!
Nga ana tjetër vetëm në Shqipëri ka rreth 45 universitete dhe ngjashëm është kudo në Ballkan, ku vlerat që krijohen në universitete nuk korrespondojnë fare me nevojat e tregut të punës. Kështu, “në Kosovë të gjithë studiojnë juridikun ose politologjinë”,  ofshan një ekspert perëndimor arsimi në Prishtinë. “Dhe të gjithë duan të brehen këshilltarë presidenti”. Ndërsa më e keqja është se ata edhe bëhen me të vërtetë (këshilltarë presidenti). Ndërsa për studime të nevojshme të shkencave inxhinierike dhe natyrore edhe universitetet private janë të pajisura keq. Kështu, ata që nuk arrijnë të bëhen këshilltarë presidenti, ngasin taksi, bëjnë punën e kamerierit ose në ndonjë call center, përshkruan artikulli gjendjen e paperspektivë për shkollarët në Kosovë.