Kosova

I vjedhin tre pasaporta dhe 1400 euro

Policia e Kosovës thotë se po e heton rastin që ka ndodhur në Gjilan

Një person ka raportuar në polici se persona të panjohur ia kanë vjedhur një çantë në veturën e tij. Sipas ankuesit, në çantë ishin 1400 euro dhe tre pasaporta.

Policia thotë se po e heton rastin që ka ndodhur në Gjilan, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, katër persona janë arrestuar në Kosovë në 24 orët e fundit për gjuajtje me armë në ahengje familjare.

Në rastin e parë, të ndodhur në Rrugën e Ulqinit në Prizren, policia ka konfiskuar një armë gjuetie, Cifsan CSP 555 cal-12, 28 fishekë dhe dy gëzhoja.

Në rastin e dytë, në rrugën Xhevat Berisha në Prizren, policia ka konfiskuar armën-pistoletë Gap me një karikator me pesë fishekë.

Një tjetër rast ka ndodhur në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë, ku policia ka konfiskuar armën Ekol me një karikator me 12 fishekë dhe pesë gëzhoja.

Në rastin e katërt, policia ka konfiskuar armën Ekol Special me një karikator me pesë fishekë.

Me urdhër të prokurorit, të gjithë të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt, transmetojnë mediat vendore.

Ndërkohë, një person është arrestuar pasi ka kanosur verbalisht dy inspektorë të komunës në kryerje të detyrës.

Rasti ka ndodhur në Pejë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje.