Kosova

Ideja për një president ndanë partitë politike në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një president të përbashkët.

Deklarata e tij ka nxitur shumë reagime, përcjell albuinfo.ch.

Avdullah Hoti përmes një postimi në “Facebook” është shprehur se ky propozim, të cilin Rama e dha gjatë fjalimit të tij të mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, është mungesë respekti ndaj aspiratave të kosovarëve.

“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO”, ka theksuar Hoti.

Ndërkohë, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj deklaratave të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Abdullah Hoti.

Kjo deklaratë për Haxhiun është anti-kombëtare, duke thënë se partia e udhëhequr nga Isa Mustafa, vazhdimisht lëshon deklarata të tilla. Derisa sipas saj, kur është fjala për reagime kundër liderëve serbë, hesht.

“Nuk e mbaj mend ndonjëherë që Hoti dhe LDK, kanë reaguar kundër deklaratave të shpeshta të Vuçiqit, kundër Republikës sonë, as kundër luftës së egër të Serbisë ndaj Kosovës, kudo në mekanzimat ndërkombëtarë. Në raste të tilla fshihen si struci!”, ka thënë Haxhiu.