Lajme

Kosova po zbrazet

Në Kosovë po vazhdon drama e ikjeve ilegale, albinfo.ch sjell një reportazh ekskluziv nga Prishtina

  • Foto: albinfo.ch

  • Foto: albinfo.ch

Ikja masive e kosovarëve në drejtim të vendeve evropiane ka marrë hov gjatë këtyre ditëve. Vetëm nga stacioni i autobusëve në Prishtinë mbrëmë janë nisur 10 autobusë.

U nis me autobus bashkë me 50 kosovarë të tjerë për të shkuar ilegalisht në Gjermani, por nuk arriti më shumë se në Merdar, në pikën kufitare që ndan Kosovën me Serbinë.  Mustafë Bislimi, 61 vjeç, nga fshati Bullofci i komunës së Podujevës, vdiq në autobus në rrugëtimin e tij të fundit.

Ai ishte nisur me një qëllim tjetër, nga 50 të tjetër që po iknin në drejtim të Beogradit, për të vazhduar drejt Suboticës, vendit më të frekuentuar nga kosovarët gjatë muajve të fundit. Bislimi, sipas të afërmeve të tij, ishte nisur për ta parë vajzën e vet në Gjermani, por nga një sulm në zemër vdiq në rrugë.

Familjarët e tij thonë se ai ka qenë shumë mirë me shëndet.

“Në autobus kishte kërkuar ujë, sepse nuk ishte ndier mirë. Është rrëzuar dhe menjëherë ka vdekur”, ka thënë një i afërm i tij. Mustafë Bislimi pritet të varroset nesër në fshatin e tij të lindjes.

Ky ishte kosovari i dytë që humbi jetën gjatë rrugëtimit ilegal për në Bashkimin Evropian. Një muaj më parë edhe një tjetër shqiptar nga komuna e Ferizajt vdiq në kufirin Serbi-Hungari. Ai ishte mërdhirë nga të ftohtit dhe autoritetet hungareze e gjetën të ngritë në mes të malit.

Ikja masive e kosovarëve në drejtim të vendeve evropiane ka marrë hov gjatë këtyre ditëve. Vetëm nga stacioni i autobusëve në Prishtinë për çdo natë po nisen nga 10 autobusë, që pikësynim e kanë Hungarinë, e nga atje të “kërcejnë” në ndonjë shtet tjetër evropian, Francë, Gjermani apo Austri.

Derisa muajve të fundit trendi i ikjeve kishte prekur vetëm rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt, kohën e fundit fluksi ka goditur edhe rajonin e Mitrovicën, Skenderajn dhe Podujevën.

Albinfo.ch ishte në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë për të parë nga afër eksodin e kosovarëve. Të rinj me çanta sportive në krah, familjarë me gra e fëmijë, por edhe të sëmurë, ishin ata që prisnin në rend për të siguruar një ulëse në autobusin e kompanisë Ardi, Fjolla Erhan, etj.

Sapo ndalet autobusi, të gjithë bëjnë yrysh për të hyrë brenda. Aty nuk mungojnë as të sharat ndërmjet atyre pasagjerëve që nuk e kishin rezervuar më herët biletën.
“Mos u shtyj, o i marrë”, bërtiste njëri që i kishte dy fëmijë me vete. Mirëpo në rrethana të tilla asnjë “kërcënim” nuk bënte punë.

Emërllahu, rreth 60-vjeçar, kishte dalë në stacion për ta përcjellë djalin me nusen dhe nipin 2 vjeç. “Iu mbush mendja me dal dhe s’pat kush që e ndal. Po me dhimet nipi, se për ta s’po e kam dert”, tha ai, me zë të mekur.

Ky qytetar nga rajoni i Prishtinës thotë se shkaktar për ikjen e djalit u bë mungesa e perspektivës. “E ka përfunduar Fakultetin Juridik, ndërsa ka konkurruar në 20 vende. Askund nuk e kanë pranu, madje disa herë as në intervistë nuk e kanë thirr”, tregon Emërllahu.

Derisa ky qytetar foli për albinfo. ch, të tjetër nuk duan të deklarohen.

Disa, derisa bëjnë tërheqje nga një vend në tjetrin, i shajnë liderët. “N….këtyre hajnave. Janë ba krejt milionera, e populli po vdes uni. Mirë e ka Vetëvendosje që po do me kallë këtë vend, sepse ndryshe hajnat nuk bien nga pushteti”, tha një tjetër “udhëtar” për Suboticë.

“E sheh atë djalin që po çalon. Është nga Drenasi. Ka rënë nga kati i dytë derisa po muroste një shtëpi dhe ka mbetur keq me shëndet. Po shkon në Francë me shpresën që të shërohet”, deklaroi një djalë rreth të 30-ave. Ndërkaq me gjithë insistimin, ai nuk deshi të deklarohet.

Ndryshe, një biletë udhëtimi nga Prishtina për Beograd kushton 15 euro, ndërsa vetëm të dielën në mbrëmje në destinacionin Prishtinë-Beograd janë nisur 10 autobusë.

Sipas një përllogaritje që ka bërë Eurostat, vetëm gjatë dy muajve të fundit më shumë se 20 mijë kosovarë kanë ikur drejt BE-së. Ndërsa Zyra e Emigracionit e Ministrisë së Brendshme Hungareze ka konfirmuar për mediet lokale se vetëm deri më 25 janar në Hungari janë regjistruar 6.000 kosovarë.

Brenda tre muajve në këtë shtet kanë kaluar 24 mijë kosovarë.

Ndërsa lajmi i fundit vjen po ashtu nga Budapesti, thuhet se policia hungareze ka ndaluar në një stacion të trenit mbi 200 shtetas të Kosovës. Në mesin e refugjatëve ka shumë fëmijë, të cilët pikë referimi e kishin Austrinë.

Drejtoresha e Arsimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Arbrie Nagavci, në profilin e saj në Facebook ka shkruar se vetëm në Komunën e Prishtinës janë mbi 810 nxënës që kanë lënë mësimin gjatë muajve të fundit. “Vetëm në Komunën e Prishtinës mbi 810 nxënës janë larguar nga bankat shkollore”, thotë ajo.

E njëjta dramë po ndodh edhe në komunën e Gjilanit. Atje gjysmëvjetorin e dytë e kanë filluar 350 nxënës më pak. Po ashtu 400 më pak janë në rajonin e Ferizajt, ndërsa edhe në Mitrovicë numri i nxënësve ka rënë për 300 sosh.

Derisa ikjet masive po vazhdojnë me intensitet të shtuar, autoritetet në Prishtinë nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret për ta ndaluar ikjen. Një javë më parë Kuvendi i Kosovës debatoi për eksodin e fundit, por nuk arriti ta nxjerrë një rezolutë kundër migrimit ilegal, pasi që ministrat e qeverisë dhe ligjvënësit e shumicës e braktisën seancën dhe krijuan mungesë kuorumi.