Tematike

“Illyria Grill”, një copë Ilirie në zemër të Cyrihut

Pronari i restorantit, Musa Komani, nga Gjakova tregon për albinfo.ch se si ka marrë guximin të “shqiptarizojë” restorantin në zemër të Cyrihut

Restorant “Illyria Grill” është një ndër restorantet tashmë të njohura në qytetin e Cyrihut. Gatimet tradicionale shqiptare, veshjet karakteristike popullore të kamerierëve, pikturat me figura të historisë shqiptare që veshin muret e restorantit i japin një frymë karakteristike ambientit dhe një ndjenjë të veçantë secilit që viziton restorantin “Illyria Grill”.

Pronari i restorantit, Musa Komani, nga Gjakova e Kosovës ka marrë guximin të “shqiptarizojë” restorantin në zemër të Cyrihut. Aty do të të shërbejnë edhe kamerierë të veshur me veshje kombëtare shqiptare. Tingujt e muzikës së lehtë shqiptare do t’ju shoqërojnë vazhdimisht derisa ju darkoni në këtë restorant përballë stadiumit “Letzigrund” të Cyrihut.

“Mikpritja është pjesë e traditës shqiptare, prandaj unë nuk e fsheh idetintetin tim”, përgjigjet me krenari Musa Komani, i cili nga viti 2000 merret me gastronomi në Zvicër. Thotë të mos ketë mësuar kurrë për gastroniminë por e kishte trashëguar nga gjyshi i cili kishte një restoran të njohur në Kroaci qysh në vitet e gjashtëdhjeta.

 Ëndrra e realizuar për një restorant tërësisht shqiptar

Vetë ai ka filluar biznesin në gastronomi në restoranin “Salmen” ku ka punuar deri në vtin 2015, pastaj restorant pas restoranti, herë në Cyrih e herë në Basel arriti të merrte në pronësi restorantin e famshëm “Churrasco” dhe të realizonte ëndrrën për një të këtillë si “Restorant Illyria Grill”, me gatime tipike shqiptare.

Këtu mund të porositësh ushqime si “sallatë çobane”, ose “tavë elbasani”, apo “qebapa në tavë”, leqenik, fli, ushqime të ndryshme dhe gatesa të tjera që së fundi mund t`i kesh shijuar vetëm kur ke qenë në vendlindje.

Kudo që të ulesh në restorantin “Illyria Grill ”, nga muret rreth e rrotull të shikojnë piktura me motive shqiptare.

“Kur filluam me restoranin `Churrasco` u thash vëllezërve se nuk duhet të mohojmë se jemi shqiptarë. Kemi komunikuar në gjuhën shqipe me kamarierët, dhe kjo ka rënë në sy te mysafirët zviceranë. Gjithmonë kemi treguar se ne jemi shqiptarë dhe menaxhojmë restoranin nga Argjentina. Ne kemi treguar se menaxhojmë më mirë se argjentinasit”, deklaron Komani dhe shton që t’i kenë tejkaluar madje edhe italianët me kuzhinën e tyre.

As në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka restorant kaq të “shqiptarizuar”

“Ne kemi humbur shumë duke fshehur identitetin pas kuzhinave tjera. Ka restorante që askush nuk e di se  pronari dhe kuzhinieri janë shqiptar”, thotë ai në vazhdim. Ndërsa rreth “Illyria Grill” Komani shprehet: “ka që thonë se as në Kosovë nuk kanë parë një restoran aq të shqiptarizuar”. Prandaj ai thotë se e ka hapur këtë restorant në mes të Cyrihut pikërisht për të treguar se është komplet shqiptar.

Prandaj, ëndrra e tij për të hapur një restorant shqiptar, e ka munduar gjatë gjithë viteve të kaluara në Zvicër.

“Vijnë shqiptarë në restorant dhe më flasin gjermanisht. U drejtohem duke u thënë: “Folni shqip se keni ardhur në Kosovë” duke aluduar në restoranin, në hyrje të të cilit valojnë flamujt edhe të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Edhe zviceranët darkat e fundvitit i bëjnë me tava shqiptare

Shqiptarët shpesh sjellin kolegët e tyre zviceranë dhe krenohen se po i gostisin me gatime të vendit të tyre. “Mysafirët zviceranë janë kurreshtarë dhe më pyesin se si kisha guximin për një restorant të këtillë me motive dhe gatime shqiptare”, tregon Musa Komani. Ai këtu punon bashkë me gruan e tij, që sa e sheh në kuzhinë e sheh edhe duke u shërbyer mysafirëve me verë nga Kosova, po edhe me birra “Peja”.

Musa Komani, para se të niste punën me restoranin “Illyria Grill” kishte shëtitur nëpër shumë restorante në Kosovë dhe Shqipëri për të “vjedhur” idetë e tyre të kuzhinës shqiptare. Ai zotohet se do ta ruajë menynë shqiptare dhe nuk do ta ndërrojë me asnjë meny tjetër.

Tashmë tavat që shërbehen në këtë restorant janë bërë të shijshme edhe për zviceranët që organizojnë bankete dhe darka të fundvitit.

Musa Komani është me rrënjë nga Gjakova ndërsa kishte migruar në moshën 10 vjeçare në Zvicër.

“Folni shqip se keni ardhur në Kosovë”

“Vijnë shqiptarë në restorant dhe më flasin gjermanisht. U drejtohem duke u thënë: “Folni shqip se keni ardhur në Kosovë” duke aluduar në restoranin, në hyrje të të cilit valojnë flamujt edhe të Kosovës dhe të Shqipërisë.