Tematike

Imamit ekstremist i hiqet statusi i azilit në Zvicër

Kjo ka ndodhur më 3 gusht të këtij viti pasi që ishte konstatuar se ka mashtruar Zvicrën duke udhëtuar disa herë në vendin e prejardhjes, në Libi, pasaportën e të cilës e posedonte gjithë kohën

Imami i kontestuar libian Abu Ramadan  për të cilin sot kanë shkruar gjerësisht mediat zvicerane, e ka humbur statusin e azilit në Zvicër. Kjo ka ndodhur më 3 gusht të këtij viti pasi që ishte konstatuar se ka mashtruar Zvicrën duke udhëtuar disa herë në vendin e prejardhjes, në Libi, pasaportën e të cilës e posedonte gjithë kohën.

Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) ka dalë sot me një komunikatë, si reagim ndaj emisionit “Rundschau” të SRF dhe artikullit të gazetës “Tages Anzeiger” të SRF lidhur me imamin. Albinfo.ch ka shkruar lidhur me rastin. Mediat në fjalë e kishin problematizuar abuzimin e tij me ndihmat sociale për rreth 13 vite, me ç`rast kishte përfituar afër 600 mijë franga.

Abu Ramadan, një imam 64 vjeçar, ka ardhur në Zvicër si refugjat, para rreth njëzet vitesh nga Libia. Gjatë gjithë kësaj kohe ai nuk ka punuar asnjëherë, nëse përjashtojmë predikimet që herë pas here i ka mbajtur në xhaminë “Ar`Rrahman” në Biel/Bienne. Dhe, këto predikime janë shembuj shkollorë të propagandimit të urrejtjes ndaj atyre që ai i quan “te pafe”. “O Zot, shkatërroi hebrenjtë, të krishterët, hindusët dhe shiitët”,  thotë veç tjerash imami, siç mund të dëgjohet në një incizim tonik, të emetuar në emisionin “Rundschau” të  SRF.

Vendimi për heqjen e statusit të azilit ende nuk është i plotfuqishëm.