Kultura

In Memoriam: Sylejman Krasniqi

Shkrimtari që shkruajti historinë, u bë vetë pjesë e historisë

Më 16 korrik të vitit 2011 në Tiranë ndërroi jetë shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Sylejman Krasniqi. U lind në fshatin e lashtë të Kosovës, në Hoçë të Vogël, më 7 dhjetor 1937. Ky fshat i bukur, plot gjelbërim, siç e quan vetë shkrimtari, shtrihet në luginën mes shpatijeve që lartësohen ëmbël-ëmbël dhe kundërmojnë nga aroma e mushtit të rrushit të njohur rahovecian.

Ishte i vetmi djalë, i lindur me vonesë nga babai Islami dhe nëna Ryvija, të cilët bashkë me tërë familjen e madhe Krasniqi e ruajtën si sytë e ballit nga “syri i keq”dhe bënë të pamundurën për rritjen e tij të shëndetshme.

Qysh si i mitur merr pjesë nëpër odat e burrave, dëgjon me vëmendje bisedat e pleqve të mençur dhe, si të thuash, pjekët e burrërohet para kohe. Odat në atë periudhë luanin rolin e shtëpive të kulturës, shkollave dhe universiteteve, ndaj shkrimtari i ardhshëm, Sylejman Krasniqi, qysh në moshë të re thith nektarin e dashurisë ndaj atdheut që endej gojë më gojë nga atdhetarë e njërëz të ditur të asaj periudhe.

Pasi mbaron shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm, regjistrohet në gjimnazin e asaj kohe në Prizren. Si nxënës i klasës së katërt të shkollës fillore në Hoçë të Vogël boton poezinë e parë me titull “Dëshiroj” në gazetën për fëmijë “Pioneri” të Prishtinës. Nga kjo kohë asnjëherë nuk iu shua etja për të shkruar.

Si nxënës i dalluar në mësime dhe veprimtari patriotike, Sylejman Krasniqi shkruan në dialektin gegë dhe me rimë gjashtërrokëshe përrallën e gjatë me 1500 vargje, “Pallati prej dukati”, të cilin dorëshkrim rastësisht e gjen në një redaksi të Prishtinës pas 41 vjetësh.

Në gjimnazin e Prizrenit, i cili atë kohë kishte nxjerrë intelektualë e atdhetarë të shquar, Sylejman Krasniqi shoqërohet me nxënës përparimtarë, të cilët krahas mësimit bartnin mbi supe çështjen e pazgjidhur kombëtare shqiptare.

Ndonëse atë botë nuk kishin njohuri të duhura politike, secilit prej tyre i nxirrte zemra flakë nga situata e pushtimit të Kosovës. Pikërisht për këtë qëllim formojnë grupin kombëtar shqiptar, në të cilin ishin përfshirë konviktorët, Sylejman Krasniqi, Selim Daut Krasniqi nga Tërpeza e Drenicës, Mehmet dhe Isa Gashi nga Kijeva e Llapushës, Fehmi Hoti nga Krusha e Madhe dhe Isuf Gashi nga Randobrava. Ky grup fillimisht shkruante dhe shpërndante trakte në tërë rrugët e Prizrenit, ndërkaq njëra nga objektivat e mëpastajme të grupit ka qenë informimi i popullit për keqtrajtimin e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Angazhimi politik i Sylejman Krasniqit i kishte kushtuar me burg, të cilin e mbajti në Rahovec, Prizren dhe Kallugjerska Bare në periudhën 1952-1953. Pas mbajtjes së burgut pothuaj ishte bërë i pamundur qëndrimi i tij në Kosovë. Ngado që lëvizte, çdo germë që shkruante dhe çdo fjalë që fliste ndiqej e përgjohej nga UDB-ja e asaj kohe.

Në qershor të vitit 1958, dy vjet pas aksionit të tmerrshëm të armëve, gjatë të cilit u rrahën barbarisht pothuaj të gjithë burrat shqiptarë, pleq e të rinj, Sylejman Krasniqi detyrohet të arratiset në Shqipëri. Marrja e këtij vendimi të rëndë dhe pastaj rruga e gjatë dhe e mundimshme për kalimin e hekurt të kufirit, e kishte goditur rëndë në mendje e në zemër shkrimtarin Sylejman Krasniqi.

Më tepër se lodhja dhe sakrifica që kishte bërë për ta gjetur shpëtimin dhe dashurinë vëllazërore, e kishte goditur pritja e “ftohtë” dhe provokimet e rënda e të njëpasnjëshme të sigurimit shtetëror të Shqipërisë. Thellësisht i befasuar, por asnjëherë i zhgënjyer dhe i thyer moralisht, kalon disa vjet në kampet e refugjatëve si “emigrant jugosllav në jug të Shqipërisë!”

Me gjthë këtë katrahurë, Sylejman Krasniqi ishte i përgatitur moralisht dhe i fortë fizikisht  për t’iu bërë ballë këtyre sfidave të papritura e absurde të kohës. Ai para së gjithash e mbi gjithçka tjetër e donte Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi.

Me kalimin e viteve, shkrimtari Sylejman Krasniqi, i cili qëndroi si një lis shekullor para fortunave të jetës, fiton të drejtën e shkollimit në Universitetin e Tiranës, ku mbaron me sukses Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Një kohë ka punuar si mësues  i shkollave të mesme në Mat dhe Tiranë, ndërkaq nga viti 1982 ka dalë shkrimtar në profesion të lirë.

Sylejman Krasniqi radhitet ndër figurat më të shquara të letërsisë shqiptare. Disa nga kritikët e quajnë si “Balzaku shqiptar”, të tjerët e vlersojnë si “shkrimtar i të vërtetës historike, ndërsa një kategori tjetër e kritikëve thonë se ka qenë «shkrimtar i rezistencës dhe i frymëzimit të brezave».

Në të vërtetë, shkrimtari që shkruajti historinë e u bë më në fund vetë pjesë e historisë dhe pavdeksisë, Sylejman Krasniqi ka qenë shkrimtar i së vërtetës historike dhe simbol i rezistencës e i frymëzimit të brezave me dashurinë ndaj vendlindjes. Ai ishte një figurë komplete si njeri, një intelektual i një kalibri të lartë, një shkrimtar i shquar dhe një atdhetar i flaktë që e donte njësoj çdo pëllëmbë të tokave shqiptare. Këtë e dëshmoi me punën dhe veprën e pavdekshme të tij.

Në shtypin periodik dhe ditor Sylejman Krasniqi ka shkruar mijëra faqe si skica, tregime, artikuj, reportazhe, pamflete e të tjera dhe ka ka botuar më se 21 vepra të veçanta, përfshirë këtu edhe romanin e fundit autobiografik, i cili u botua pak kohë para se të ndërronte jetë shkrimtari. Ndër veprat më të njohura janë: «Tri motra, tri histori», novelë, 1972, «Në shpellën e banditëve», roman, 1973, «Qielli i përflakur»,  roman 1974, «Prijësja e komitëve », 1975, «Beteja e nëndheshme », 1976, «Lindita», 1977, «Rrustë Kabashi», 1978, «Mic Sokoli», 1979, «Besëlidhja shqiptare», 1980, «Pushka top, Bajram Curri», 1982, «Dardanët», 1985, «Heronjtë e borës», 1985, «Oso Kuka», 1986, «Shqiptarofobia e serbomëdhenjve», «Njeriu dy herë i pushkatuar”, 1991, «Belbacakja » 1982, «Rrëfimet e majorit», 1993, «Evropë, deri kur do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare», 1996, «Rapsodia e kosovarës », 1999, «Rebeli i bajraqeve», 2010 dhe libiri i fundit autobiografik, «Jetëshkrim», 2011.

Shkrimtari i mirënjohur, Sylejman Krasniqi, iu ka përkushtuar kryekëput romanit historik. Gjatë gjithë jetës lëvroi me pasion historinë e Shqipërisë, duke sjellë që nga viti 1958  në Shqipëri botën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Është ndër penat e rralla, për të mos thënë e vetmja që ka ditur aq mirë ta ngritë në art historinë e lavdishme të popullit të vet dhe ta paraqesë aq bindshëm heroizmin e figurave historike shqiptare, si Mic Sokoli, Bajram Curri, Oso Kuka, Shotë Galica, pa lënë anash asnjëherë lashtësinë dhe ngjarjet e mëdha historike që kanë shënuar epokë, si Dardanët, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e shumë të tjera. Temat dhe sidomos faktet historike që ka trajtuar Sylejmant Krasniqi i kanë  mundësuar  që me mjeshëtri t’i ikte cenzurës dhe konjukturave ideologjike të asaj kohe.

Përgjatë gjysmëshekulli sa jetoi S. Krasniqi larg Kosovës së tij të dashur, për asnjë minutë nuk i harroi bukuritë e rralla të vendlindjes së tij. Gjendja e rëndë ekonomike dhe, sidomos robëria nga sundimi njëshekullor serb ishin preukupimi dhe motivi kryesor i veprës së tij. Pothuaj e tërë krijimtaria e tij artistike, si romanet hiostorike, novelat, dramat dhe tregimet e shumta lidhen kryekëput me Kosovën dhe qëndresën e popullit shqiptar.

Vepra e Sylejman Krasniqit, personazhet dhe heronjtë e tij gjithnjë kanë qenë burim frymëzimi. Ato nuk kanë qenë as legjenda, e as personazhe të trilluara. Ata kanë qenë protogonistë realë, të cilët shkrimtari me penën e tij i ka bërë të flasin e të fluturojnë në qiell, pa u thyer asnjëherë para armiqve të popullit shqiptar.

E tërë veprimtaria e Sylejman Krasniqit ka qenë në shërbim të lirisë, emancipimit dhe frymëzimit atdhetar të shumë gjeneratave. E tillë, sigurisht do të mbetet edhe për gjeneratat e ardhshme, për të cilat autori dëshironte të jetojnë të lirë dhe me dinjitet në vendin e të parëve si çdo popull tjetër i rruzullit tokësor.

Vepra e Sylejman Krasniqit, në veçanti ka qenë burim frymëzimi në ngjarjet e vitit 1968, në demonstratat e vitit 1981, e deri te lufta çlirimtare e Kosovës. Me një fjalë, Sylejman Krasniqi ka mbështetur të gjitha zhvillimet pozitive në Kosovë, pa mohuar as kontributin më të vogël të askujt. Ai i gëzohej si fëmija çdo suksesi dhe çdo pune të mirë që bëhej për çlirimin e Kosovës si dhe hapjen e lirë të hapësirave shqiptare.

Figura e ndritshme e shkrimtarit Sylejman Krasniqi do të mbetet e paharruar në kujtesën e popullit shqiptar si njëra nga figurat dhe penat më të mëdha mbarëkombëtare. Ai duke e shkruar me besnikri historinë e popullit të vet, pa dashur u bë pjesë e paharruar e historisë dhe letërsisë shqiptare, i cili do të kujtohet e do të nderohet me respekt tërë jetën.