Bota

Incidenti në Austri rrit çmimin e gazit në Evropë

Shpërthimi i fuqishëm, që tronditi një qendër të kalimit të gazit natyror në lindje të Austrisë, i kushtoi jetën një personi dhe plagosi me dhjetëra të tjerë.

Shpërthimi u pasua nga një zjarr masiv në impiantin e Baumgartenit, që gjendet në lindje të Vjenës, në afërsi të kufirit me Sllovakinë.

Policia austriake lajmëroi se situata është nën kontroll dhe se shpërthimi ishte pasojë e një defekti teknik, transmeton “TCH”.

Impianti i Baumgartenit është një qendër e importimit dhe shpërndarjes së gazit rus në Evropë dhe aty kalojnë në një vit rreth 49 miliardë metër kub gaz, përcjell albinfo.ch.

Pas shpërthimit, fluksi nga Rusia u ul ndjeshëm për arsye sigurie dhe kjo solli rritjen e menjëhershme të çmimit të gazit në Evropë.

Autoritetet thonë se incidenti nuk do të ketë ndikim për furnizimin me gaz të Austrisë, por mund të reduktohet fluksi drejt Kroacisë, Sllovakisë dhe Italisë.

Në Romë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të kësaj situate dhe tha se Italia ka rezerva të mjaftueshme, por këto varen nga sa do të zgjasë kjo situatë.