LIVE STYLE

Infermieret modele shqiptare zgjedhin pacientët para karrierës

Disa nga modelet tona që jetojnë në diasporë flasin për “albinfo.ch” për profesionin e tyre të infermierisë dhe punën humane që bëjnë

Ato janë modele. Kanë reklamuar për kompani të njohura të modës në Zvicër, Gjermani dhe vende të tjera të Evropës. Kanë fituar çmime të ndryshme nëpër konkurse të bukurisë. Por, para famës dhe kënaqësive tjera që mund të sjellë skena e modës, ato kanë zgjedhur diçka tjetër: Të jenë në shërbim të të sëmurëve. Disa nga modelet tona që jetojnë në diasporë flasin për “albinfo.ch” për profesionin e tyre të infermierisë dhe për punën humane që bëjnë.

Doresa Halilaj: “Nga infermieria nuk heq dorë për asgjë!”

Doresa Halilaj jeton në Neureuth të Gjermanisë. Në vitin 2016 bukuroshja shqiptare mori pjesë në “Miss Univerese Gjermania”, dhe u zgjodh vajza e dytë më e bukur në Gjermani. 23 vjeçarja është infermiere në klinikën e të aksidentuarve në Tubingen. “Unë punoj në klinikën e të aksidentuarve dhe aty përkujdesem për pacientë me nevoja emergjente”, ka thënë ajo.

Në këtë klinikë shpesh herë pacientët kur hapin sytë pas operacioneve, dhe shohin një infermiere të bukur, nuk mund të rezistojnë pa shprehur edhe ndonjë kompliment. “Është e natyrshme. Marr komplimente të shumta nga pacientët, dhe kjo më gëzon. Por më shumë më gëzon fakti se atyre sërish po u rikthehet jeta”.

Përkundër ofertave të shumta që mori pas spektaklit për të reklamuar për kompani të njohura, Doresa zgjodhi që të jetë në shërbim të pacientëve: “Profesioni im jetësor është infermieria, nga i cili nuk heq dorë për asgjë. Për mua, më të rëndësishëm janë pacientët se sa karriera si modele”, është përgjigjur ajo.

Ergina Ramadani: “Lumturia më e madhe, t`ua kthej buzëqeshjen të sëmurëve”

Në një tjetër spektakël të bukurisë, vendin e dytë e ka fituar edhe bukuroshja nga Zvicra, Ergina Ramadani. Më 21 maj të vitit të kaluar, Ergina ishte finaliste në “Miss Zvicra lindore”. Ajo banon në kantonin Glarus. Në kohën kur ishte finaliste kishte thënë se, po qe se fiton kurorën e misit, popullaritetin e saj do ta përdorë për t’i mbështetur të sëmurët. Megjithatë, Ergina vazhdon të jetë e përkushtuar dhe në shërbim të të sëmurëve.

“Unë punoj në spitalin Universitar në Cyrih si motër medicinale, ndërkohë që paralelisht ndjek studimet për radiologi në Shkollën e Lartë Profesionale”, është shprehur ajo.

Por, më e lumtur Ergina ndihet në garderobën e skenës apo në atë të infermieres? Ajo përgjigjet kështu: “Ndjenjën që ta sjell uniforma e bardhë e mjekësisë nuk mund të ta sjell asnjë gjë tjetër. Kur të sëmurëve, e në veçanti atyre që janë me sëmundje të rënda, arrin t’ua sjellësh buzëqeshjen, është lumturia më e madhe”, theksoi Ramadani.

Naile Thaçi: “Të ndihmosh dikë në nevojë, është gjëja më e çmuar që mund ta bësh në jetë”

Naile Thaçi është bukuroshja tjetër shqiptare që ka zgjedhur të lë anash bukurinë e jashtme për atë shpirtërore. Vajza nga Gjilani e cila jeton në Zvicër, punon infermiere në Spitalin Neuropsikiatrik në Cyrih. Ajo ndihet e lumtur që ka arritur të dhurojë nga vetja gjithë dashurinë shpirtërore në profesionin human të mjekësisë. “Të ndihmosh dikë në nevojë, është gjëja më e çmuar që mund ta bësh në jetë. Jam e lumtur që kam mundësinë që përmes profesionit tim të jem afër të sëmurëve dhe atyre që kanë nevojë për shërim”, ka thënë Nailja. Nailja përveç si modele, ka përfaqësuar Kosovën në vitin 2014 në spektaklin e bukurisë ndërkombëtare “Miss Grand International” në Bangkok të Tajlandës.

Edolinda Fetaj: “Të shërosh një të sëmurë ke shpëtuar një jetë”

Në shërbim të të sëmurëve është edhe bukuroshja Edolinda Fetaj. Vajza e cila banon në kantonin Solothurn, ishte finaliste e “Miss Earth Zvicra 2017”. Punon si infermiere në Solothurn ndërkohë është duke ndjekur studimet për mjekësi. Ajo dëshiron të ndihmojë njerëzit me aftësi të kufizuar. “Të shërosh një të sëmurë ke shpëtuar një jetë. Kjo është vlera dhe pasuria më e madhe që mund ta këtë një njeri. Jam shumë e lumtur që me anë të profesionit dhe punës sime mundohem që t’u dal në ndihmë të gjithë të sëmurëve”, pohon Edolinda.