Kultura

Instrumentistët e rinj shpalosin talentin e tyre

Ky takim, i dyti me radhë, ishte një testim dhe notë kaluese që për vitin e ardhshëm manifestimi të bëhet edhe me karakter garues

Në Qendrën Shqiptare për Kulturë dhe Integrim në Kreuzlingen, të dielën që shkoi u organizua një takim me talentë të rinj të muzikës nga kantoni Thurgau i Zvicrës dhe nga qyteti matanë kufirit, Konstanz i Gjermanisë. Në këtë takim morën pjesë mjaft të reja, të rinj e fëmijë të talentuar. Dominuan instrumentet akademike si piano, violina, kitara, flauta dhe fyelli por pati edhe paraqitje të kombinuara, me këndim dhe me instrumente.

Mund të thuhet lirisht se të gjithë fëmijët që u prezantuan në këtë revy muzikore, treguan nivel të kënaqshëm të interpretimit. Por duhet dalluar sidomos Lum Qoti në këndim të shoqëruar me kitarë, pastaj Valon Aliu në piano, ekzekutim ky që mund të paraqitej lirisht edhe në konkurrencë zvicerane. Ndërsa Nora Selca në kitare mahniti me lojën e saj bravuroze, me pjesë të kompozitorëve të njohur si Alborada dhe Asturias. Me këto pika ajo pak muaj më parë është shpërblyer me vendin e parë në garat për landin e Baden Würtembergut, në Singen të Gjermanisë.

Po kështu Drin Myrtaj interpretoi me fyell dy melodi shqiptare që u duartrokitën gjatë. Ndërsa interpretime të bukura dhe me mjeshtri na ofruan edhe Glorian Ramaj me violinë, Donika Lenjani me kitarë, Debora Qoti, me piano, Rabije Aliu me kitarë, Drin Selimaj me kitarë, Valentina Avdyli me piano. Me këndim u paraqitën Aurora Avdyli, Noel Ramaj, Kleron Aliu etj.

Juria në përbërje: Afrim Aliu, këngëtar, Burim Bekteshi, muzikant profesional dhe Rrustem Selca, balerin, vlerësoi lartë punën dhe paraqitjen shumë të mirë dhe për mburrje të femijëve të talentuar shqiptarë.

Ky takim, i dyti me radhë, pas atij të vitit të kaluar, ishte një testim dhe notë kaluese që për vitin e ardhshëm manifestimi të bëhet edhe me karakter garues.

Me këtë rast për suksesin e treguar duhet lavdëruar punën dhe angazhimin e pakursyer të stafit të Qendrës Shqiptare për Kulturë dhe Integrim: Tomë Berisha, Rrustem Selca dhe të tjerëve që veprojnë në kuadër të këtij mini institucioni kulturor në Kreuzlingen.