Kultura

Integrimi është i mundshëm edhe në skenën e teatrit

Për aktoren Lushi, teatri është si një art sintezë që shihet si një pasqyrë e shoqërisë.

Projekti  kulturor “Me shumë se një ëndërr” është lansuar zyrtarisht të shtunën në qytetin e Wintherthurit. Në përurimin e këtij projekti të prezantuar nga Qendra për kulturë dhe integrim “Aleksandër Moisiu” ishin të ftuar dashamirë të artit dhe të kulturës, përfaqësues institucionesh zvicerane dhe bashkatdhetarë. Në këtë ngjarje kulturore ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi.

©albinfo.ch

Projekti u dedikohet fëmijëve dhe të rinjve, të cilët do të kenë mundësinë që të ndihmojnë progresin e tyre të integrimit, të familjes dhe shoqërisë nga vijnë dhe ku jetojnë.

Aktorja e njohur shqiptare, Liri Lushi, tha se kishte zgjedhur pikërisht skenën e teatrit, ku sipas saj, mund të paraqiten alternativa të ndryshme për të gjetur zgjidhjet përkatëse të problemeve të komunitetit shqiptar në Zvicër, edhe atë nëpërmjet bashkëbisedimit të aktorëve me spektatorët.

©albinfo.ch

“Teatri dhe lëvizja e njerëzve nëpër botë, e cila sjell ndryshimet, një fenomen i pashmangshëm dhe i destinuar për të zhvilluar më tej rruzullin, bashkohen në projektin tonë në një pikë”, ka thënë Liri Lushi, iniciatore e projektit “Më shumë se një ëndërr dhe njëherësh drejtuese e Qendrës për kulturë dhe integrim “Aleksandër Mosiu”.

Për aktoren Lushi, teatri është si një art sintezë që shihet si një pasqyrë e shoqërisë.

“Projekte të tilla të koordinuara me teatrin janë tregues të standardit të lartë dhe prestigjit, rrisin dhe shtojnë shkallën e imazhit”, theksoi Lushi.

Iniciatorja e këtij projekti shpalosi në detaje para të pranishmëve  projektin që për synim ka pasurimin e jetës kulturore, artistike të komunitetit tonë, vënien në pah të vlerave kulturore të kombit tonë në mjedisin ku jetojnë dhe integrimin e suksesshëm në këtë shoqëri nëpërmjet vlerave më të mira që përfaqësojnë.

“Do të inskenojmë temat që prekin  jetën e emigrantëve. Me jetën si është të jesh i huaj. Do t’i ofrohet hapësirë një të riut emigrant për të qenë i devotshëm dhe i përshtatshëm në shoqërinë ku jeton”, tha Lushi.

“Më shumë se një ëndërr” synon të kapërcejë klishetë e zakonshme të komunitetit shqiptar në Zvicër. 

Promotorët e këtij projekti planifikojnë të inskenojnë një pjesë të teatrit edhe në udhëtim nëpër oborre dhe sheshe para pallateve, ku më së shumti janë përqendruar të huajt.

Në përurim të këtij projekti kulturor ka folur edhe Osman Osmani, sekretar sindikal për migracion, i cili në kronologji ka folur për zhvillimin e emigracionit shqiptar, që sipas tij, daton qe një gjysmë shekulli në Zvicër.

©albinfo.ch

Sipas Osmanit, vetëm pas luftës në Kosovë komuniteti shqiptar ka filluar të orientohet më shumë në jetën kuluturore në Zvicër.

Osmani bëri të ditur për të pranishmit projektin e parë kulturor që kishte filluar të realizohet në vitin 2001, me emrin “Korsa”. Shkëmbimi kulturor në formë të korzos ishte realizuar me aktivitete artistike-kulturore në disa qytete të Zvicrës, si në Cyrih e Schafauzen,  duke përfunduar në Winterthur.

Tashmë, sipas Osmanit, projekti “Një ëndërr më shumë” ofron kualitet të ri në culture, duke iu ofruar komunitetit shqiptar përfshirjen direkte në zgjidhjen e problemeve, e jo të jenë vetëm  konsumues të projekteve edhe të aktiviteteve integruese.

“Qendra “Aleksandër Moisiu” ofron një kualitet të ri, shqiptarët kalojnë nga objekti në subjekt, vetën në këtë mënyrë shkëmbimi kulturor ka kuptim dhe nëse është i ndërsjellë”, tha Osmani.

Qendra për kulturë dhe integrim “Aleksandër Moisiu” projektet e tilla i ka nisur që nga viti 2004. Po ashtu që nga gushti i vitit të kaluar është duke zhvilluar projektin më të ri “Kultura, shtëpia ime”.

Në projektin teatral “Më shumë se një ëndërr” do të përfshihen dy grupe, fëmijë dhe të rinj, në dy gjuhët, shqip dhe gjermanisht.

Është planifikuar më 23 shtator një bashkëbisedim ndërmjet  prindërve dhe fëmijëve lidhur me këtë temë.

Qendra për kulturë dhe integrim “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me qendrat e tjera për integrim kulturor ka paralajmëruar edhe një gala mbrëmje, në të cilën do të prezantoheshin më të suksesshmit në procesin integrues në të gjitha fushat e jetës në Zvicër.

©albinfo.ch