Lajme

Intensifikohet fushata në Maqedoni, ashpërsohet gjuha politike

Derisa partitë që kanë qeverisur vendin po kërkojnë vota për fitore, siç thonë ata “të thellë”, ish opozita sintagmën më të rëndë në fushatë e ka, për përmbysjen e partive të qeverisjes siç po thonë ata ‘të keqe”

Fushata në Maqedoni është në kulmin parazgjedhor, ndërsa partitë politike po e vazhdojnë aktivitetin nga mitingjet nëpër lokalitete deri në fushatën “derë më derë”. Derisa partitë që kanë qeverisur vendin po kërkojnë vota për fitore, siç thonë ata “të thellë”, ish opozita sintagmën më të rëndë në fushatë e ka, për përmbysjen e partive të qeverisjes siç po thonë ata ‘të keqe”.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë mbrëmë ka mbajtur tubim në Gjevgjeli, ku lideri i kësaj partie Zoran Zaev, i siguroi të gjithë qytetarët se regjimi, siç e quajti ai, i Gruevskit, ka marrë fund dhe se në Maqedoni po kthehet jeta.

Zaev gjatë fjalimit të tij tha se Gruevski i ik ballafaqimit publik me të, dhe kështu i bëri thirrje publike për debat liderit të VMRO-DPMNE-së. Kreu i LSDM-së u bëri thirrje qytetarëve që të rreshtohen në anën e tij me qëllim që të ketë mundësi të formojë Qeveri stabile.

Edhe Zaev premtoi se nëse LSDM vjen në pushtet, paga minimale do të rritet deri në 116 mijë denarë, ndërsa ajo mesatare deri në 30 mijë denarë. Ai gjithashtu u zotua se të gjitha paratë të cilët, sipas tij, i janë vjedhur popullit nga ana e pushtetit aktual, ai do t’ia kthejë popullit, raporton “Shenja”.

“Regjimi po merr fund, po vjen jeta, jetë për të gjithë ju. Këto 10 vjet kemi një bandë famëkeqe e cila e ka okupuar vendin tonë për para dhe pushtet. Për atë dua ta dini të gjithë, ne fituam, regjimi ra. Dua nga këtu ta ftoj Gruevskin në debat, si ekonomist që është, të flasim për gjendjen ekonomike të vendit tonë. Pranoje duelin sepse ua ke borxh qytetarëve të cilët mbijëtuan këto 10 vite”, deklaroi Zaev.

Sela: Ali do ta mposhtim mikun tënd Gruevskin

Ziadin Sela në tubimin e sotëm qendror të Aleancës për Shqiptarët në Kërçovë ka adresuar shumë kritika dhe disa mesazhe ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Sela pyet Ali Ahmetin pse fshihet prapa ministrave të rinj dhe i mban prapa kuintave ministrat e vjetër.

“Pse fshihesh dhe tenton ti ikësh përgjegjësisë para opinionit nga premtimet që i ke pas në 2014. Ne nuk duam vota për kalkulime dhe për te hyrë në qeveri. Ne e duam këtë votë për të bashkuar shqiptaret. Ne më 12 dhjetor si fitimtarë do ti bashkojmë gjitha partitë shqiptare” tha Ziadin Sela.

Më pas kryetari i LR-PDSH-së, nuk hezitoi ti bëj apel Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit që më 11 dhjetor për të mirën e nipërve dhe mbesave të tyre të votojnë Aleancën për shqiptarët si opsionin më të mirë kombëtar. Sela tha se qëllimi i Aleancës është ta fitojë mikun e Ali Ahmetit, Nikolla Gruevskin.

Kasami: Më 11 dhjetor do të ngadhënjejë vullneti i popullit shqiptar

“Rilindje me Besë” mbrëmë u takua me banorët të Butelit dhe Shuto Orizares, ku para banorëve të kësaj ane shpalosën platformën dhe programin zgjedhor, me çka u përkrah fuqishëm platfoma “Ridefinimi”.

Para të pranishmëve kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, njëherit bartës i listës zgjedhore për njësinë e gjashtë zgjedhore deklaroi se “me 11 dhjetor nuk do të fitojë asnjë parti politike, por do të ngadhënjejë vullneti i popullit shqiptar”.

“Do të jeni ju që do ta bëni edhe më madhështore fitoren e “Rilindjes me BESË”, ndërsa obligim i yni do të jetë që të jemi zëri i juaj legjitim. Sot, patriotizëm mbi çdo patriotizëm është që popullit tënd t’ia ofrosh mundësitë që të bëjë një jetë me dinjitet, gjë që nuk e bëri kurrë BDI – ja”, tha ai.

Ahmeti: bashkohuni me ne

Në anën tjetër, partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni, BDI ka vazhduar fushatën në Llabunishtë të Strugës. Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së është i bindur në fitore, por ai po kërkon që fitorja të mjetë më e thellë.

“Nuk kam ardhur të tregoj se çka kemi bërë, kam ardhur t’i gëzohem bashkë me ju këtij uniteti. Kam ardhur këtu, të ju them të rinjve që aq bukur flisni gjuhën e nënës, të pleqve që kam takuar mes jush, gjuhën shqipe. Të ju them se pos Universitetit të Tetovës, kemi hapë edhe një në Shkup ashtu siç deshën ata pleqtë e moçëm nga ky vend. Ju porosis se nuk do zhgënjeheni”, tha ai..

Ndërsa Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor Bekim Neziri, rikujtoi banorët e Labunishtit se si është vendosur që pikërisht ky vendbanim ta ketë edhe bartësin e listës nënjesinë zgjedhore nr 5. “Kur bëheshin listat, kryetari më tha qartë se vendi i parë është i rezervuar për labunishtasit. Mendova se a është i duhuri, ky vendim? Por duke parë se si jeni mbledhur këtu, e them bindshëm se ky vendim është më se i duhuri që e ka bërë kryetari Ahmeti”, tha Neziri para një numri të madh banorëve të kësaj ane, citon INA, transmeton Albinfo.Ch.

Thaçi: Me fitoren e PDSH-së do ta kthejmë krenarinë e shqiptarëve

Kryetari i PDSH-së dhe bartës i listës zgjedhore numër gjashtë, Menduh Thaçi ne një tubim që mbajti mbrëmë para qytetarëve tetovar shpreh tepër falënderues për mbështetjen e pa rezervë që i a kanë dhënë tetovarët duke theksuar se çdo herë kur PDSH-ja ka qenë ne krizë të thellë tetovarët e kanë përkrahur

Thaçi ka premtuar se në qeverinë e ardhshme shqiptarët do të kenë një zëvendëskryeministër  i cili do të ketë një të drejt veto ku asnjë vendim i rëndësishëm i qeveris si në ekonomi, në sferën multietnike nuk do të mund të merret pa pëlqimin e tij.

Ai e ka kritikuar rëndë oponentin e tij politik kryetarin e BDI-së ku u shpreh se nuk ka marr asgjë në drejtim të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve dhe se ato ende po përballen me probleme themelore si mungesa e ujit të pijshëm, kanalizimit, ajrit të ndotur.