Jeta në Zvicër

Interlaken me shenja të veçanta në komunikacion

Drejtim personal në vend të sinjalizimit zyrtar. Shenjat e komunikacionit të Policisë së qytetit në Interlaken po tregojnë ndikim

Inspektorati policor në Interlaken ka zbuluar një mënyrë të veçantë për të komunikuar më pjesëmarrësit në komunikacion në këtë qytezë në Berner Oberland. Në rrugën përgjatë lumit Aare mund të vërehet një shenjë e jashtëzakonshme e komunikacionit: “Njerëzit e mençur nuk i ngasin biçikletat e tyre këtu. Për të tjerët është e ndaluar”.

Që policia nuk ua drejton gishtin paralajmërues pjesëmarrësve në komunikacion, por se me mbyllje të syrit apelon që të respektohen rregullat, ka një arsye: “Gjithnjë e më shumë nuk po respektohen sinjalizimet zyrtare”, sqaron për “20 Minuten” inspektori policor Hans Peter Bühlmann, njofton Albinfo.ch.

Drejtimi më personal, më i drejtpërdrejtë po funksionon më mirë.

Në këtë mënyrë, në tërë qytezën janë të vendosura shenja të tilla. Parkimi i gabuar në rrugën “Bahnhofstrasse” është paralajmëruar në këtë mënyrë: “Mos u parkoni në këtë vendparkim! Jo vetëm shkurt. Jo vetëm një minutë. Bile edhe më pak. Aspak!!! Edhe një herë: Ky, vërtetë nuk është vendparkim për vetura!”. Ky aksion me frymë humori ka ndikuar dukshëm: “Me këtë shenjë, është konstatuar se asnjë veturë më nuk është parkuar në vijat e verdha”.