Kultura

Inva Mula, Eno Peçi, Gëzim Myshketa do të bëjnë Vjenën të frymojë shqip

Koncerti  “Vienna salutes to Tirana” organizohet nga  “Glanz-Ing. Tendler” me rastin e 105 vjetorit të shtetit shqiptarë dhe do të jetë një prej aktiviteteve të vitit kulturore  Austri – Shqipëri 2018

Kryeqyteti Austriak, Vjena, sonte do të frymojë shqip. Në sallën  prestigjioze “Mozart Saal” në Vjenë duke filluar nga ora 19.30 do të mbahet koncerti “Vjena përshëndet Tiranën”. Në këtë koncert që përkon me 105 vjetorin e shtetit shqiptar, do të këndojnë dhe vallëzojnë artistët shqiptarë më renome ndërkombëtare, siç janë: sopranoja me famë botërore, Inva Mula, pianisti Genc Tukiçi, baritoni Gëzim Myshketa, violinisti Olen Cezari e shumë artistë tjerë të njohur të muzikës shqiptare në botë, njofton “albinfo.ch”.

Po ashtu, në këtë koncert nuk do të mungojë edhe performanca e balerinit të njohur shqiptar Eno Peçi, i shoqëruar nga Volkhard Steude, Kuarteti i Filarmonisë Vjeneze dhe Maria Yakovleva, primabalerina e Operës Shtetërore të Vjenës.

Programi do të përmbajë vepra nga: Wolfgang Amadeus Mozart, Jochan Sebastian Bach, Fredric Chopin, Jules Massenet, Astor Piazzolla, Vittorio Vicenzo Monti, Johannes Brahms, Vicenzo Bellini, e të tjera.

Koncerti  “Vienna salutes to Tirana” organizohet nga  “Glanz-Ing. Tendler” me rastin e 105 vjetorit të shtetit shqiptarë dhe do të jetë një prej aktiviteteve të vitit kulturore  Austri – Shqipëri 2018, shkruan albinfo.ch. Aktiviteti është mbështetur  nga  Ministria Federale për Evropë, Integrim dhe Punëve të Jashtme, Ambasada Shqiptare në Vjenë dhe Ambasada Austriake në Tiranë.