Zhvillim

Investimet nga diaspora, të rëndësishme për Kosovën

Murati ka vizituar sot tri kompani të suksesshme me kapital nga bashkatdhetarët tanë. Ai iu ofroi mbështetje institucionale për të zhvilluar biznesin në Kosovë

Ministri i Diasporës, Valon Murati iu ka dhënë mbështetje të fuqishme investimeve nga diaspora në Kosovës, ndërsa iu ka bërë thithje mërgimtarëve që të vijnë he të investojnë në Kosovë. Murati ka vizituar sot tri kompani të suksesshme me kapital nga bashkatdhetarët tanë.

Ai ka vizituar kompanitë “KosovaTex”, fabrikë për prodhimin e pantallonave (Prishtinë), “MeCatyp-KS”, fabrika për prodhimin e pjesëve mekanike për fusha të ndryshme, “KEMA PACK”, fabrikë për prodhimin e paketave, të llojeve të ndryshme, dhe “Eurofol” (Ferizaj), fabrikë për riciklim.

Ministri u njoftua për procesin e punës, për numrin e punëtorëve, për mjetet me të cilat punohet. Të gjitha këto kompani, me shumë sukses, prodhimet e tyre i plasojnë në tregun evropian. Mirëpo, përveç sukseseve, pothuajse të gjithë drejtuesit e këtyre kompanive ballafaqohen edhe me pengesa e probleme të ndryshme gjatë punës së tyre.

Ministri Murati, duke i njoftuar për krijimin e një grupi të punës për tërheqjen e investimeve nga diaspora, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, tha se tash e tutje për të  gjitha shqetësimet e problemet, por edhe për propozime e ide  mund t’i drejtohen këtij grupi.

“Grupi i punës, përveç tërheqjes së investimeve nga diaspora, do të merret edhe me shqyrtimin dhe trajtimin e problemeve  në dikastere të caktuara. Nëpërmjet këtij mekanizmi të krijuar synojmë të jemi zëri juaj, të jemi afër jush”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Qëllimi i këtyre vizitave ishte që këta investues nga diaspora ta ndiejnë mbështetjen institucionale, si dhe të njohja  për së afërmi me sukseset dhe proceset nëpër të cilat këto kompani kalojnë.