Kosova

Investimet strategjike do të jenë transparente

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pranuar urimet e shefes së zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova.

Shefja e BE-së në Kosovë është shprehur se diaspora ka rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, derisa gjithashtu ka theksuar rëndësinë e investimeve strategjike, duke kërkuar transparencë maksimale gjatë këtij procesi, përcjell albinfo.ch.

Zëvendëskryeministri Gashi e ka siguruar shefen e BE-së në Kosovë se, ky proces do të ketë transparencë maksimale.

Ai ka theksuar se investimet kanë munguar pikërisht për këtë arsye. “Jemi të vetëdijshëm se investimet kanë munguar në Kosovë për shkak të mungesës së transparencës bashkë me burokracinë e vendimet e gabuara politike.

Në rastin tonë, ju siguroj Apostolova se procesi i investimeve strategjike do të jetë transparent dhe në çdo hap do të përfshihet Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtar”, është shprehur Gashi.