Kosova

IPK deklarohet për vrasjen në Brekoc dhe hetimet ndaj policëve

Inspektorati Policor i Kosovës, me anë të një njoftimi ka dhënë detaje për vrasjen, e cila ndodhi më 7 gusht

Inspektorati Policor i Kosovës më 8 gusht, sipas detyrës zyrtare ka filluar hetimin preliminar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë lidhur me dyshimet për neglizhencë dhe moskryerje të detyrave nga zyrtarët policorë në lidhje me rastin “Vrasje e rëndë”, e cila ka ndodhur në fshatin Brekoc – Gjakovë, shkruan Albinfo.ch.

Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime të ndryshme hetimore në konsultim me prokurorin kompetent për të vlerësuar reagimet policore dhe rrethanat e rastit. 

“Me datën 07.08.2018, në orët e pasdites viktima V. M. Ndrecaj së bashku me vëllanë e saj kishte kontaktuar Policinë e Kosovës respektivisht zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës duke potencuar para hetuesve se kishte pranuar disa mesazhe elektronike ( përveç mesazhit kërcënues, kishte edhe mesazhe me përmbajtje të lutjes për t’u kthyer viktima në familje) nga i dyshuari P.Ndrecaj (bashkëshorti i saj). I dyshuari në datën e njëjtë  kishte shkuar te shtëpia e prindërve të viktimës së bashku me disa të afërm të tij dhe  kishte kërkuar nga e njëjta që të kthehet te shtëpia e tij në fshatin Bitesh.

Pas intervistimit  të viktimës nga hetuesit policorë, të njëjtit janë konsultuar me prokuroren kujdestare dhe kanë iniciuar rastin “Kanosje” ndaj të dyshuarit P.Ndrecaj”, shpjegon IPK.

Tutje thuhet se pas hapjes së rastit, hetuesit e stacionit policor në Gjakovë kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve operative, ku fillimisht kishin shkuar në fshatin Bitesh tek shtëpia e të dyshuarit me qëllim të shoqërimit të tij në polici për ta intervistuar lidhur me rastin “Kanosje”. “Pasi hetuesit e Stacionit Policor në Gjakovë të dyshuarin nuk e kishin hasur në shtëpinë e tij, të njëjtin janë munduar që ta kontaktojnë nëpërmjet telefonit, por i dyshuari nuk ishte përgjigjur në telefon”, thuhet në njoftimin e IPK, shkruan Albinfo.ch. 

IPK ka thënë se duke ju referuar shkresave të rastit nga Policia e Kosovës është vërtetuar se viktima as në datën kritike nuk kishte kërkuar mbrojtje nga ana e zyrtarëve policorë.

“E gjithë kjo përpjekje e zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjakovë për ta hasur dhe kontaktuar të dyshuarin P.Ndrecaj ka vazhduar deri pas orës 18:30 të datës 07.08.2018.

Për gjitha këto veprime të ndërmarra nga zyrtarët policorë, të njëjtit kanë informuar po atë ditë prokuroren kujdestare të PTH-Gjakovë, ku nga prokurorja kujdestare nuk është kërkuar ndonjë veprim shtesë lidhur me këtë rast”, vazhdon njoftimi i IPK-së.

IPK ka konstatuar se sipas të gjeturave rezulton se tani për tani nuk ka element të ndonjë veprimi apo mosveprimi të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës.

Këto të gjetura që hetuesit e IPK-së i kanë identifikuar si rezultat i veprimeve hetimore dhe dokumentacioneve të siguruara nga Policia e Kosovës i janë prezantuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës dhe i njëjti ka potencuar se tani për tani nuk kemi element të ndonjë veprimi apo mosveprimi të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës.

“IPK-ja në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë do t’i vazhdojë hetimet dhe analizimin e çdo veprimi apo mosveprimi të zyrtarëve policorë nga DRP-Gjakovë deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e IPK-së.