Kosova

Ish-gjyqtari mbetet në burg dhe i konfiskohet pasuria mbi 1 milion euro

Nga i akuzuari janë konfiskuar paluajtshmëritë e përfituara me vlerë mbi një milion euro, madje një banesë në Klinë, një banesë në Prishtinë, patundshmëria në Ulqin, etj

Gjykata kosovare e Apelit ka vërtetuar dënimin me burgim dhe konfiskimin e pasurisë në vlerë të mbi një milion euro ish-gjyqtarit, Kolë Puka. Ky i fundit ishte dënuar më 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 3.000 euro gjobë për veprat  “Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe “Parandalimi i pastrimit të parave dhe luftim”.

Kjo gjykatë njofton se të akuzuarit i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbime publike, si dhe ushtrimi i profesionit të avokatit, në kohëzgjatje prej 3 vjetëve, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

“Po ashtu, bëhet e ditur se nga i akuzuari janë konfiskuar paluajtshmëritë e përfituara nga kryerja e veprës penale me vlerë mbi një milion euro, madje një banesë në Klinë, një banesë në Prishtinë, patundshmëria (në të cilën është e ndërtuar një shtëpi) në Ulqin, të Malit të Zi, në sipërfaqe prej 308 metra katrorë, patundshmëria (livadh) po në Ulqin, në sipërfaqe prej 171 metra katrorë, një lokal afarist në Klinë, një automjet “Audi A6”, si dhe mjetet financiare nga shitja e dy lokaleve afariste”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme, transmeton Albinfo.ch.