Bota

Italia do të dëbojë mijëra refugjatë

Ministri i ri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, ka folur për çështjen e emigrantëve.

Gjatë një evenimenti publik, i pritur nga mijëra mbështetës të zjarrtë, lideri i Lega Nord tha se do të udhëtojë drejt Siçilisë, e cila sipas tij është kufiri i vërtetë i vendit ndaj emigrantëve.

Salvini tha se duhen përmirësuar marrëveshjet me vendet nga të cilët vijnë me mijëra njerëz në mënyrë ilegale, ndërsa për këta të fundit mesazhi ishte i qartë.

“Për klandestinët mbaruan kohët e bukura. Tani duhet të bëjnë gati valixhet. Me qetësi, por duhet të ikin”, deklaroi ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini.

Ministri nuk përmendi shifra, por nëse fjalët e tij shndërrohen në realitet, mijëra refugjatë do të riatdhesohen nga Italia. Salvini nuk kurseu sulmet as për organizatat joqeveritare, që kanë shpëtuar me qindra emigrantë në det dhe më i pas zbarkojnë ata në brigjet e Italisë.

Sipas ministrit të Brendshëm, shtetet duhet të bëjnë punën e tyre dhe asnjë skafist nuk duhet të anokorojë më në brigjet italiane.