Shqipëria

Italia me procedura të reja për ata që duan bashkim familjar

Sipas të dhënave të Institutit Italian të Statistikave deri më 1 janar të 2017 në territorin italian jetojnë 448.407 emigrantë të rregullt shqiptarë, rreth 4.1 % më pak se një vit më parë

Shteti italian ka filluar të zbatojë procedura të reja për shqiptarët në Itali që duan bashkim familjar. Ky vendim i shtetit italian ka hyrë në fuqi që nga 17 gusht 2017.

Dekreti i Ministrisë së Brendshme italiane që është modifikimi i ligjit 46 për procedurat për bashkim familjar për të gjithë emigrantët me leje të rregullt qëndrimi në Itali thotë se duhet të jenë të tërat digjitale.

“Formulari i kërkesës për bashkim familjar duhet të plotësohet e të prezantohet vetëm online pranë Sportelit të Emigracionit në prefekturat e vendeve të banimit të emigrantëve. Gjithashtu dhe dokumentacioni i duhur për të përmbushur këtë kërkesë duhet të bashkëlidhet po online në formatet PDF, JPEG, TIFF”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Institutit Italian të Statistikave deri më 1 janar të 2017 në territorin italian jetojnë 448.407 emigrantë të rregullt shqiptarë, rreth 4.1 % më pak se një vit më parë.

Televizioni “Ora neps” raporton se shqiptarët janë gjithashtu komuniteti i tretë në numër ndër ato jo evropiane që marrin leje të rregullt qëndrimi në Itali për motive familjare.