E-Diaspora

Iu dha lamtumira e fundit ikonës së kulturës shqiptare të mërgatës, Agron Bajramit

Nga ceremonia e varrimit të valltarit, koreografit, piktorit e kameramanit Agron Bajrami, në Aarau, Zvicër

Janë të shumtë ata që kanë ardhur për t`i dhënë lamtumirën e fundit Agron Bajramit, ndoshta me mijëra. Sepse të shumtë, të panumërt janë shqiptarët që ai në të gjallë të tij i ka lidhur edhe me kulturën shqiptare, me vallen, me pikturën dhe kamerën por mbi të gjitha me afërsinë, humorin dhe ngrohtësinë e tij njerëzore. Rrjedhimisht, shumë i madh është boshllëku që ka lënë Agroni me vdekjen e tij në komunitetin shqiptar të Zvicrës. Prandaj kaq shumë lot, kaq shumë pikëllim ka në fytyrat e të gjithëve, në veçanti të më të rinjve, nxënësve të Shkollës së tij të Vallëzimit “Shota”, e cila këtë vit mbush çerekshekulli të punës.

©albinfo.ch

© albinfo.ch

Agroni pa dyshim ka qenë një ikonë e pakrahasueshme e këtij komuniteti dhe jo vetëm e këtij, shkruan albinfo.ch. Sepse Agron Bajrami, siç do të përkujtonte miku i tij dhe bashkëveprimtari Ibish Neziri në fjalën e tij mortore, ka qenë pikë referimi për vallen dhe kulturën e traditën shqiptare edhe në vendet tjera si Gjermania, Austria, Franca, Belgjika etj., ku ai me dhjetëra “ushtarët” e tij ka qenë mysafir i rregullt i programeve artistike ose i përfaqësimit të kulturës shqiptare para vendësve. Ai ka mësuar “të ecin e vallëzojnë shqip” mbi 600 fëmijëve e të rinjve tanë në Zvicër. Mund të themi se Agroni ishte vetë Besim Zekthi, Rexhep Çeliku ose madje edhe Panajot Kanaçi i valles shqiptare të diasporës”, ka theksuar më tutje Neziri. Prandaj nuk ishte e rastit që enkas për varrimin e tij kishin ardhur njerëz nga e gjithë Zvicra po edhe nga Gjermania dhe nga Kosova.

Me dhjetëra anëtarë dhe ish anëtarë të Shkollës së Vallëzimit Shqiptar të Zvicrës “Shota” kanë parakaluar me veshje kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare, për t`i bërë përcjelljen për në banesën e fundit mësuesit, maestros dhe mbi të gjitha mikut e vëllait të tyre. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në vallen shqiptare, në kultivimin e traditës së vallëzimit që e bënte me pasion të pashembullt.

© albinfo.ch

Me këtë pasion Agroni kishte lidhur edhe të gjithë familjen e tij, duke filluar me Lirijen, bashkëshorten e tij e cila ishte dhe bashkëpunëtorja kryesore në Shkollën e Vallëzimit, për të vazhduar me të katër fëmijët e tij. Ata të gjithë u rritën dhe u poqën rrugëve të koncerteve e të festivaleve, u mëkuan në skenat e të gjitha qyteteve të Zvicrës dhe të shumë vendeve të Evropës Perëndimore ku “Shota” ftohej për të përfaqësuar traditën shqiptare të valles, shkruan albinfo.ch. Dhe kur Agroni me anëtarët tjerë të “Shotës” së Zvicrës po përgatiteshin të festonin 25 vjetorin e themelimit, në vend të manifestimit jubilar erdhi lajmi i kobshëm për vdekjen e maestros, themeluesit dhe udhëheqësit të saj.

© albinfo.ch

Varrimi i Agron Bajramit ishte një manifestim më shumë se simbolik për shpirtgjerësinë e tij në të gjallë: ajo bëri bashkë njerëz nga shtresat dhe kategoritë më të ndryshme, me botëkuptime nga më të kundërtat. Të gjithë kishin diçka në vete nga shpirti i Agronit, një shpirt i madh dhe që lidhte, afronte frymëzonte të gjithë ata që e njihnin.

© albinfo.ch

Ceremonia e varrimit të tij ishte sikur edhe jeta e tij: e lidhur ngushtësisht me vallen shqiptare dhe me dashurinë për kombin. Këtë e tregon edhe shoqërimi i arkivolit të tij me Flamurin Kombëtar dhe me varganin e valltarëve me veshje kombëtare. Pa rituale fetare.

Agron Bajrami, i lindur në vititin 1964 ka ndërruar jetë pak ditë më parë nga një sëmundje e rëndë dhe e gjatë. Ai ka qenë themelues, në vitin 1993 dhe udhëheqës që nga fillimi, i Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër.