Bota

Izraelitët padisin dy gra, për shkak të koncertit të Lorde

Një grup izraelitësh për të drejtat e njeriut do të padisin dy persona nga Zelanda e Re, meqë pohojnë se e bindën këngëtaren Lorde të anulojë performancën e saj në Izrael. E kjo duket se do të jetë padia e parë nën ligjin izraelit kundër bojkotit.

Ky ligj iu mundëson izraelitëve të padisin këdo që bën thirrje për bojkot të vendit. Organizata izraelite pohon se zelandësit e dinin se apeli i tyre drejtuar këngëtares mund të shkaktonte bojkotimin dhe prapë e bënë.

Sidoqoftë, organizata Shurat HaDin po i padit zelandësit në emër të tre personave që deshën të ndiqnin koncertin dhe kërkon 16 mijë dollarë dëmshpërblim. Në anën tjetër, Justine Sachs dhe Nadia Abu-Shanab, vitin e shkuar, i kishin shkruar këngëtares, duke kërkuar nga ajo që t’u bashkohet shumë personaliteteve nga bota e artit dhe kulturës për të bojkotuar Izraelin.

Më pas, Lorde shkroi në Twitter që e ka marrë porosinë, duke shtuar se ka debatuar gjatë me njerëz lidhur me këtë dhe u tregua falënderuese për mësimin që i është dhënë. Disa ditë më pas ajo e anuloi koncertin. Lidhur me këtë padi ende askush nuk ka komentuar, as këngëtarja, as dy gratë e paditura.