Shkurt.ch

IZSR mban manifestimin kundër ISIS-it në ambient të mbyllur

Me gjithë faktin se organizata në fjalë pretendon të protestojë kundër terrorit islamik, ajo mbetet e dyshuar për shkak të islamit konservativ që propagandon

Organizata e kontestuar islamike IZSR (Këshilli Qendror Islamik i Zvicrës) ka vendosur që manifestimin e saj të paralajmëruar të mos e bëjë në sheshin kryesor të Bernës (Bundesplatz) por në një ambient të mbyllur, gjegjësisht në një sallë.

IZSR ka shkruar në një komunikatë që e transmetojnë mediat zvicerane se me këtë manifestim synon të japë një shenjë kundër terrorit të ISIS-it dhe në favor të paqes.

Ajo fillimisht i kishte bërë një kërkesë policisë për lejimin e manifestimit në sheshin e përmendur, transmeton albinfo.ch. Pasi që policia nuk e kishte dhënë këtë leje, nga frika për sigurinë, IZSR kishte bërë një ankesë, e cila ende nuk ka marrë përgjigje.

Me gjithë faktin se organizata në fjalë pretendon të protestojë kundër terrorit islamik, ajo mbetet e dyshuar për shkak të islamit konservativ që propagandon. Ajo është themeluar dhe udhëhiqet kryesisht nga zviceranë të konvertuar në islam, por i janë bashkuar edhe një numër besimtarësh islamikë me prejardhje të huaj, në mesin e të cilëve ka edhe shqiptarë.