Tematike

Ja në cilat komuna kalohet më lehtë “provimi” për pasaportën zvicerane

Për të bërë këtë prezantim, janë marrë pesë komuna nga pjesë të ndryshme të Zvicrës dhe është biseduar me ata që udhëheqin intervistat me të huajt e interesuar për natyralizim

Natyralizimi i të huajve, apo, thënë më thjesht, pajisja e tyre me pasaportë zvicerane është temë e cila vazhdon të jetë shumë aktuale, sidomos në dritën e ashpërsimit të pritshëm të procedurës së natyralizimit. Më 1 Gusht, ditën e festës nacionale të Zvicrës, srf i ka bërë një riaktualizim kësaj çështje, duke shkruar për dallimet që pëson procedura e natyralizimit nga kantoni në kanton.

Janë marrë pesë komuna nga pjesë të ndryshme të Zvicrës dhe është biseduar me ata që udhëheqin intervistat me të huajt e interesuar për natyralizim. Në vazhdim, albinfo.ch jep përmbledhjen që pasqyron dallimet dhe ngjashmëritë që këto intervista kanë në varësi nga komuna ose kantoni.

Onex, Kantoni i Gjenevës: Pritje me kafe   

Pesë kilometra nga qendra e qytetit të Gjenevës, komuna Onex ka rreth 19 mijë banorë, 36% të të cilëve janë të huaj. Kjo komunë shënon rreth 10 kërkesa për natyralizim në muaj. Në bisedën me rastin e natyralizimit, kryetari i komunës në zyrën e tij e ka përballë kandidatin dhe bisedojnë kokë më kokë, transmeton albionfo.ch. “Kur kandidati është shumë i shqetësuar, unë ia bëj një kafe për të shtendosur situatën, pasi që duhet të mbretërojë një atmosferë e mirë”, thotë kryetari aktual, François Mumenthaler.

Ai sqaron më tutje se në këtë komunë qëllimisht hiqet dorë nga pyetjet e parapërgatitura. Thjesht, biseda duhet të jetë spontane. Fundja, ajo është pika e fundit e një procedure të gjatë verifikimi. “Ne përpiqemi të kuptojmë se kush janë këta njerëz dhe, mbi të gjitha, përse ata duan të bëhen qytetarë të Onex-it. Pyetje të drejtpërdrejta të natyrës personale si ato për shitoret e preferuara, për familjen, jetën dashurore etj., nuk bëhen. Pas kësaj, ulen tre kryetarët (sepse në këtë komunë, tre kryetarë zëvendësojnë njëri tjetrin në mandate 1 vjeçare), diskutojnë për rastin dhe vendosin për ose kundër.

Altdorf, Kantoni Uri: Intervista, në banesë të kandidatit

Në këtë kanton, krahas shkallës së njohjes së gjuhës testohen edhe njohuritë themelore mbi sistemi  shtetëror të Zvicrës. Përgjegjëse për intervistimin e personit të interesuar është punëtorja sociale e komunës, Christine Herrscher. Ajo vetë, si shtetase gjermane ka kaluar nëpër këtë procedurë para tri vitesh, transmeton albinfo.ch. Dhe thotë se e kupton që për të si gjermane gjithçka është më e lehtë se sa për një shtetas të Afganistanit.

Herrscher më me dëshirë i takon kandidatët në shtëpinë e tyre. “Jo se unë dua të hulumtoj në dhomat e tyre të gjumit”, por kandidatët janë më pak të shqetësuar dhe, brenda banesës së tyre flasin më lirisht e më shumë.

Kandidatët nuk duhet të këndojnë “Psalmin Zviceran” por të shprehen qartë lidhur me planet e tyre. Në rast se ndonjëri prej tyre thotë se pushimet i kalon ekskluzivisht në vendin e prejardhjes dhe se për partner mund të paramendojë vetëm dikë nga vendlindja, kjo është dëshmi se ai nuk është ende i gatshëm për të qenë qytetar i Altdorfit”.

Qyteti i Bernës, Kantoni Bernë: Intervistat i bëjnë persona të trajnuar

Në kryeqytetin e vendit, është inspektorati policor, gjegjësisht shërbimi për natyralizim kompetent për këtë çështje. Aty, bisedat për natyralizim i udhëheqin persona të trajnuar në mënyrë speciale për këtë punë. Ndërsa të interesuarit për pasaportën zvicerane kanë mundësi ta shkarkojnë në internet katalogun e pyetjeve të cilave duhet tu përgjigjen. Pyetjet dalin ekskluzivisht nga ky katalog, nuk ka asnjë befasi. Por për të kaluar testin duhet ditur së paku 60 për qind të përgjigjeve të sakta.

Ka nga ata që flasin më shumë se sa u kërkohet, duke dashur të “shiten” si të ditur dhe të dëshmojnë se sa të lidhur janë me Bernën etj. Por ka gjithashtu edhe raste të kandidatëve që u duket jo korrekte procedura ose nuk e kuptojnë. Në ato raste biseda ndërpritet, thotë Alexander Ott nga Inspektorati Policor i Bernës. Në varësi nga rrjedha e intervistës, kandidati duhet të paraqitet edhe një herë ose shërbimi natyralizimit i jep rekomandim këshillit komunal, me ç`rast, natyralizimi është më shumë një akt formal.

Qyteti i Cyrihut, Kantoni Cyrih: Intervistë me ndjeshmëri

Në sektorin për natyralizim në qytetin e Cyrihut kandidatët intervistohen në një bisedë kokë më kokë. Si përgatitje për këtë bashkëbisedim, kandidati merr paraprakisht një broshurë, e cila në një gjermanishte të lehtë, përmban gjithë materien që dihet ditur. Në një bisedë prej rreth gjysmë ore kandidatit i testohen njohuritë themelore lidhur me strukturat politike dhe sociale të Cyrihut.

Përgjegjës për natyralizim në Cyrih është Michael Lamatsch dhe ai thotë se këto biseda zhvillohen me shumë ndjeshmëri. Ai tregon se si e ka intervistuar një të ri nga Ballkani, i cili kishte ardhur këtu në bitët `90 si fëmijë bonjak. I pyetur përse jetëshkrimi i tij ishte kaq jostabil, ai kishte shpërthyer në lot dhe i ishte kthyer trauma që kishte pësuar nga lufta. “Një pakujdesi e tillë nuk më ka ndodhur asnjëherë më vonë”.

Qyteti i Lozanës, Kantoni Vaud: Efikasitet

Pasi që policia ta ketë bërë një test për integrimin e personit, në zyrën e Komunës së Lozanës zhvillohet biseda për natyralizim. Tre anëtarë të Këshillit Komunal dhe një person që mban protokollin janë në zyrë bashkë me kandidatin.

Biseda zgjat 15 minuta, të ndara sipas temave: njohuritë mbi Zvicrën, njohuritë mbi Kantonin Vaud dhe mbi institucionet politike. “Këta persona në të ardhmen mund të zgjidhen në poste politike. Së këndejmi ka shumë rëndësi që ata të kenë njohuri të sakta mbi historinë dhe para së gjithash mbi institucionet e regjionit dhe vendit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Natyralizim në Lozanë, përcjell albinfo.ch. Pas një ose dy javëve, kandidatit i vjen përgjigja për pranim ose jo të kërkesës së tij për natyralizim.