CH-Ballkani

Ja sa austriakë mbështesin anëtarësimin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE

Shumica e austriakëve nuk janë entuziastë për zgjerimin e BE, ndërsa shumica dërrmuese kundërshtojnë anëtarësimin e Turqisë në BE, shkruan kurier.at.

Anëtarësimi i Bosnjës është më i pranueshëm për austriakët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. 31 përqind e të pyeturve janë për anëtarësimin e Bosnjës në BE sipas anketës së kryer prej Bashkësisë Austriake për Politikë Europiane (ÖGfE). Megjithatë, 36 përqind e austriakëve kundërshtojnë anëtarësimin e Bosnjës.

Interesante se “jo”-ja për anëtarësim është shtuar mes austriakëve. Mohimi në 2012 ishte vetëm rreth 20 përqind për vende si Bosnja dhe Kosova.

Pas Bosnjës më së tepërmi vota për anëtarësim ka marrë Serbia me 29 përqind, ndjekur nga Mali i Zi (27), Maqedonia (26) shtetet shqiptare Shqipëria dhe Kosova kanë përqindje të njëjtë (23), ndërsa në vendin e fundit ndodhet Turqia me vetëm nëntë përqind, përcjell albinfo.ch.

“Nuk e dinë” janë përgjigjur 22 përqind sa i takon Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa “nuk mbështesim” janë përgjigjur 46 dhe 45 përqind respektivisht. Te Turqia numri që nuk e mbështesin është 76 përqind.