Kosova

BE-ja vlerëson pozitivisht zgjedhjet komunale

Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle, ka dhënë vlerësimet pozitiv për procesin e balotazhit që u zhvillua më 19 nëntor, duke thënë se zgjedhjet ishin me konkurrencë të fortë dhe  u zhvilluan në atmosferë të qetë.

Peterle përmendi komunat ku sipas tij ka pasur më shumë tensione, e që janë Gjakova e Mitrovica. “Ne vërejtëm ngritje të tensioneve në disa komuna ku garuesit akuzuan njëri-tjetrin për presion. Atmosfera në Partesh dhe Kllokot ka qenë e polarizuar, por pa pasur ndonjë incident të madh”, është shprehur Peterle, transmeton albinfo.ch.

Ai theksoi se disa aspekte të rëndësishme të procesit të votimit dhe numërimit duhet të adresohen në mënyrë që të adresohet më tej procesi në ditën e zgjedhjeve.

“Përqindja e fletëvotimeve të pavlefshme mbetet e madhe. 30 për qind prej gjithë fletëvotimeve është dashur të rinumërohen. 10 për qind e formularëve të analizuar paraqesin mospërputhje të votave. Edhe pse QNR kishte numëruar 718, PZAP ka marrë 505 ankesa pas publikimit të rezultateve. Pesë gara janë në margjina të ngushta, ku numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës mund të përcaktojë rezultatet në këto komuna”, u shpreh ai.

Peterle theksoi se nuk do të ishte mirë që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, pasi tha të ketë dëgjuar se Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje.